Qeveria shqiptare dhe ajo greke kanë miratuar marrëveshjen për njohjen e ndërsjellët të patentave me Greqinë.

 

Ndërkohë pritet që vendimi të hyjë në fuqi zyrtarisht pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

 

Marrëveshja midis dy vendeve u arrit më 11 maj të këtij viti nga dy ministrat e Jashtëm, përkatësisht Ditmir Bushati dhe Nikos Kotzias. Njohja e lejeve të drejtimit ka ndikim pozitiv, pasi do të krijojë lehtësi në qarkullimin e automjeteve midis dy vendeve ku përfituesit më të mëdhenj janë shtetasit shqiptarë për shkak të numrit të madh të tyre në Greqi.

 

Sipas marrëveshjes parashikohet që qytetarët shqiptarë, të cilët kanë leje drejtimi shqiptare nuk do të kenë nevojë të rifillojnë procedurat e kualifikimit dhe të provës, për marrjen e lejes së drejtimit greke, e cila ka edhe një impakt financiar nga 700 deri në 1000 Euro, për çdo leje drejtimi të marrë në Greqi. Qytetarët do të dorëzojnë lejen e drejtimit të marrë në Shqipëri, dhe do të marrin atë greke duke u krijuar mundësi, të qarkullojnë ose të punësohen si drejtues mjeti në Greqi, me të drejta të barabarta me shtetasit grekë.

 

Kjo marrëveshje është një rezultat i prekshëm i paketës së çështjeve dypalëshe të diskutuar në Kretë dhe Korçë nga dy ministrat e Jashtëm dhe një punë të gjatë negociuese mes ministrive të transportit të dy vendeve tona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re