Në Laç, një nga qytetet më të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, kanë nisur punimet në kantierin ku do të ndërtohet zona e re për zhvillim, një kompleks modern banimi me 524 apartamente, qendër tregtare, njësi shërbimi e infrastrukturë të standardeve evropiane. Në sipërfaqen prej 40 mijë metrash katrorë ku do të ndërtohet kompleksi i ri, ku do të ketë dhe një shkollë, punimet për gërmimin kanë avancuar në nivelin 90%.

Kryeministri Rama, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin dhe kryetaren e Bashkisë Kurbin, Majlinda Cara ishin në këtë kantier ku do të ndërtohen grupi i pallateve moderne, i financuar nga qeveria turke.

Puna në kantier vazhdon me ritme të larta, teksa inxhinieri turk dhe drejtuesi i punimeve Servet Birgören, njëkohësisht drejtori i projektit dhe përfaqësuesi i kompanisë Albayrak tha se “ky projekt është parashikuar që të përballojë një tërmet prej 9 ballë”.

Ndërsa, kryeministri Rama e vlerësoi projektin e Qeverisë së Turqisë si shprehje e një angazhimi shumë vëllazëror.

“…Eshtë një  punë shumë e madhe…Isha me Presidentin Erdogan para pak ditëve në presidencën e tij në Marmaris të Turqisë, dhe ai interesohet herë pas here se si po ecën puna për këtë projekt të madh ndërtimi dhe shumë i kënaqur që puna ka filluar intesivisht…Rëndësi ka që me këtë rast bëhet përforcimi i gjithë tokës edhe për shkollën, të cilën  e ndërtojmë ne nga buxheti, por me këtë rast përfitojmë nga përforcimi i përgjithshëm…Edhe një herë shumë faleminderit…”, – u shpreh kryeministri Rama.

Ndërsa, kryetarja e bashkisë së Kurbinit shpjegoi në detaje punën që po kryhet për ndërtimin e këtyre njësive banimi: “…Zona 1 do ketë 5 pallate dhe si lot i parë do jetë në muajin mars e përfunduar, sipas kompanisë dhe në lotin e dytë, ku do jenë pjesa tjetër e pallateve, në muajin gusht do jetë e përfunduar..”, – tha kryetarja e bashkisë së Kurbinit.

Me përforcimin e tokës që po bëhet falë 2000 pilotave që po hidhen, do të përfitojë e gjithë zona.

Projekti që përfshin ndërtimin e 524 apartamenteve zhvillohet nga Autoriteti Shtetëror i Zhvillimit Strehimor të Turqisë me udhëzim të presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ndërsa punimet po realizohen nga kompania Albayrak. Kujtojmë se pas tërmetit të vitit të kaluar, ekipet e institucioneve të ndryshme nga Turqia mbërritën në Shqipëri për ndarjen e ndihmave dhe për operacionet e kërkim-shpëtimit.

Ndërkohë procesi i pastrimit të territoreve ku do të ndërtohet vazhdon jo vetëm në Kurbin, por në çdo qytet ku jeta e familjeve të prekura do të rinisë nga gërmadhat që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit. “Për Durrësin, Kurbinin dhe Lezhën, që janë bashki që kanë shumë inerte, kemi akorduar fond specifik vetëm për procesin e pastrimit, që t’i paraprijnë procesit të pallateve që, kur të vijnë kompanitë që do fillojnë themelet e pallateve, gjithë terrenet të jenë bosh”, – tha ministri Ahmetaj.

I gjithë kompleksi do të vërë në dispozicion të familjeve që do të rinisin jetën në banesa më të mirë, edhe 400 vende parkimi./trt

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re