Mbrojtja e fëmijëve pa kujdes prindëror në të dy anët e kufirit është në fokus të marrëveshjes mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve të Kosovës, të nënshkruar nga Ministrja Ogerta Manastirliu dhe Ministri Hekuran Murati në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të Shqipërisë dhe Kosovës që po zzhvillohet në Elbasan.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerat Manastirliu në fjalën e saj tha se kjo marrëveshje do të bëjë të mundur mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror që janë lindur dhe braktisur nga prindërit brenda territorit të të dy vendeve.

 

“Kjo marrëveshje synon koordinimin ndërinstitucionional për mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, bashkimin e fëmijëve me familjet biologjike, kujdesin e ndërsjelltë nëpërmjet shërbimeve sociale për fëmijët e braktisur dhe operimin përmes standardeve të unifikuara mes dy vendeve tona që përfaqësohen nga institucionet tona të Agjensisë së Mbrojtjes së Fëmijëve dhe Departamentit të Politikave Sociale në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve. Mbrojtja e ndërsjelltë përmes programeve të përkrahjes sociale për fëmijët do të sigurojë edhe më shumë shërbime sociale për fëmijët në të dy vendet”, tha Manastirliu në fjalën e saj.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati në fjalën e tij u shpreh:

 

“Është e vërtetë se aty ku mungon kujdesi prindëror, duhet të ndihet dora e shtetit dhe besoj se edhe ne si qeveri, por besoj edhe nga ana juaj do të ketë vullnet për bashkëpunim të mëtejshëm që të ndajmë përvojat por edhe të krijojmë një ambient sa më të mirë që mbrojtja e fëmijëve të jetë diçka e realizueshme në të dy anët e kufirit duke pasur një koordimin më të mirë të strukturave përkatëse, përsa i përket ofrimit të shërbimeve sociale, rehabilituese, riintegruese dhe ligjore për gjithë fëmijët që kanë nevojë për mbrojtje”.

Marrëveshja për mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror mes Shqipërisë dhe Kosovës synon përcaktimin e rregullave të bashkëpunimit të dy shteteve, për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror që janë lindur dhe braktisur nga prindërit brenda territorit të të dy vendeve, përmes koordinimit në mënyrë të përbashkët të veprimeve dhe procedurave institucionale; riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar, përfshirë fëmijët të deklaruar të humbur, që ndodhen në territorin e të dy vendeve; lehtësimin për realizimin e kontaktimit të fëmijëve me prindër të ndarë apo të shkurorëzuar që ndodhen në territorin e dy vendeve.

 

Marrëveshja mes dy shteteve përcakton angazhimin e përbashkët për bashkimin e fëmijës me familjen biologjike, apo ofrimin e mbrojtjes institucionale, si dhe riatdhesimit në shtetin origjinë. Strukturat e varësisë të dy shteteve që mbulojnë mbrojtjen e fëmijëve do të zhvillojnë takime periodike me qëllimin shkëmbimin e informacionit për fëmijët dhe në kuadër të zbatimit të legjislacionit përkatës në të dy vendet.

Në Elbasan është duke u zhvilluar mbledhja e 7 mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, ku po nënshkruhen disa marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme mes dy vendeve tona.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re