Në mbledhjen e përbashkët të qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi tha se për festat e Nëntorit në të dy anët e kufirit nuk do të ketë kontrolle dhe asnjë pengesë për qarkullimin e qytetarëve.

Ai sqaroi se kishte rënë dakord me ministrin e Brendshëm të Kosovës Xhelal Sveçla që në kufi të vendosen kamera për monitorimin e automjeteve që hyjnë dhe dalin nga vendet.

“Nga ana tjetër, nuk është pjesë e marrëveshjes, por me kërkesën e Kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Kosovës në mbledhjen e fundit; – z. Kryeministër, – kemi marrë masat dhe ne nuk do të presim sezonin e verës për të lehtësuar qarkullimin e njerëzve, sidomos në pikën kryesore të kalimit të dy vendeve tona.

Kemi rënë dakord me Ministrin e Brendshëm të Kosovës që do të vëmë një sistem kamerash në kufi dhe qarkullimi do të bëhet pa ndalim. Kamerat do të regjistrojnë vetë çdo gjë, për sa i takon identitetit të makinës që kalon nëpërmjet leximit të targës me kamera dhe çdo gjë do të jetë automatike, pa pasur nevojë që të ndalojë fare në kufi. Kjo është një përpjekje që të dy bashkë e kemi ndërmarrë tashmë. Kemi bërë edhe planin e punës për këtë shkak dhe mendoj që do jetë shumë shpejt se sa fillimi i sezonit.

Ndërsa për sa i takon flukseve të tjera që do të jenë, sigurisht të mëdha dhe jo të zakonshme, përpara sezonit, duke përfshirë këtu edhe festën kombëtare të datës 28 nëntor, ku lëvizja në të dy anët e kufirit do të jetë sigurisht me një fluks të shtuar, kemi dhënë porosi, në të dy anët e kufirit që të mos ketë kontrolle dhe asnjë pengesë për qarkullimin e shtetasve në periudhën e fundjavës së gjatë që krijon festa kombëtare, 28 nëntori! Kështu që besoj se jemi në rrugë të mbarë për të përjetuar tashmë një lehtësi qarkullimi pa e kuptuar që ne jemi dy shtete të ndryshme”, tha Çuçi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re