Skip to content

Shqipëri – Mbi 110 mijë vaksinime në gjysmën e parë të gushtit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale e Shqipërisë, Ogerta Manastirliu ka inspektuar pak ditë më parë qendrën verore në Drimadhes, në Dhërmi, një nga 29 qendrat shëndetësore verore të hapura për pushuesit vendas dhe të huaj përgjatë zonave turistike.

 

“…Janë më shumë se 29 mijë qytetarë, të cilët kanë marrë shërbime në qendrat shëndetësore verore, 8 mijë prej tyre janë turistë të huaj që kanë ardhur dhe kanë aksesuar shërbimin shëndetësor në territor gjatë periudhës së sezonit turistik, që nga momenti që i kemi hapur këto qendra në 15 qershor e deri më tani…”,- tha Manastirliu.

Përveç qendrave shëndetësore verore janë edhe 14 postacione të Urgjencës Kombëtare, të cilat janë në gatishmëri për çdo emergjencë.

Ministrja e Shëndetësisë u shpreh se qendrat shëndetësore verore kanë ulur fluksin në spitale, duke ofruar shërbime të urgjencës për turistët.

“…Ajo çfarë na tregon programi i hapjes se qendrave verore shëndetësore është se ka reduktuar fluksin në spitale. Nga 29 mijë qytetarë që kanë marrë shërbime, më pak se 3 % e tyre janë referuar në spitale, që do të thotë se qytetarët kanë marrë shërbimin e kërkuar në këto qendra…”,- tha Manastirliu.

Nga qendra shëndetësore në Dhërmi, Ministrja e Shëndetësisë bëri me dije se më shumë se 60 % e popullatës së rrezikuar mbi 50 vjeç tashmë është vaksinuar, teksa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve mbi 18 vjeç të vaksinohen sa më parë gjatë këtij muaji të hapur.

“…Në Shqipëri kemi 1.8 milionë doza të mbërritura të vaksinave të ndryshme të cilat janë efektive, ndaj dua të ftoj qytetarët të shfyrtëzojnë muajin gusht, ku tashmë vaksinimi +18 vjeç po vijon dhe vetëm në 13 ditët e para janë më shumë se 100.000 vaksinime të kryera…”, deklaroi Manastirliu.

Rreth 130 mjekë dhe infermierë në qendrat shëndetësore verore ofrojnë shërbim 24/7 për emergjencat në 29 pika turistike nga veriu në jug të Shqipërisë. Shërbimi është i përforcuar edhe me autoambulancat e vendosura në postacione fikse përgjatë vijës bregdetare, për një përgjigje sa më të shpejtë për emergjencat mjekësore.

Mbi 1100 vaksinatorë janë çdo ditë në shërbim të qytetarëve shqiptarë për vaksinimin anticovid, në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqëndruar.

Nga ana tjetër, shefja e departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive, Silva Bino në një prononcim mediatik thotë se rritja e rasteve në Shqipëri, sidomos në dy javët e fundit, është shqetësuese.

Ndërsa bën thirrje për zbatimin e rregullave antikovid si nga popullata, ashtu dhe institucionet, Bino shprehet se sipas saj, do të duhej që të parashikohen mekanizma detyrues për kryerjen e vaksinës.

Përhapja e koronavirusit ka shënuar një kthesë të fortë negative në këto ditë të muajit gusht, me një rritje të shpejtë të rasteve të reja.

Sipas saj, shumica dërrmuese e rasteve të shtuara me COVID- 19 i përkasin moshave të reja dhe kategorisë mbi 70 vjeç që janë të pavaksinuar.

Të dhënat e deritanishme tregojnë për një numër më të lartë se totali i të prekurve në tre muajt pararendës, maj-qershor dhe korrik, të marrë së bashku.

Varianti “Delta” u konfirmua në Shqipëri në gjysmën e dytë të muajit korrik, nga mostra të cilat ishin mbledhur që nga qershori.

Kategoritë më të prekura janë moshat nga 25-34 që nuk janë vaksinuar ose nuk preferojnë të vaksinohen, si dhe ata mbi 70 vjeç që nuk duan të vaksinohen.

Sipas saj, respektimi i rregullave të brendshme është thelbësor, dhe ajo nuk e sheh problematike zgjedhjen për të mos patur kontrolle në kufi për ata që hyjnë në Shqipëri, ku pjesë më e madhe janë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, dy vende të cilat po përjetojnë një përkeqësim të shpejtë të gjendjes nga koronavirusi.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –