Turqia ka ofruar ndihmë për Shqipërinë në përballimin e situatës pas dëmeve të shkaktuara nga tërmeti që goditi sot vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) ka shpërndarë ndihma në pako ushqimore dhe batanije për qindra familje të prekura nga tërmeti në Njësinë Administrative Thumanë në Qarkun Durrës.

Në shpërndarjen e ndihmave ishin të pranishëm koordinatori i TIKA-s në Tiranë, Necip Özay Özütok, si dhe banorët e prekur nga tërmeti, të cilëve iu shpërnda ndihma.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i pranishëm në Thumanë në momentin e shpërndarjes së ndihmave shprehu falënderimet për TIKA-n për ndihmën e ofruar. Ndërkohë Rama vizitoi familjet e vendosura në çadrat e ngritura nga autoritetet e Shqipërisë në Thumanë.

Në etapën e parë të ndihmave të TIKA-s u shpërndanë 500 pako ushqimore me produkte oriz, vaj, fasule, sheqer, makarona, miell dhe produkte të tjera, si dhe 500 batanije.

Ndërkohë sipas informacioneve nga TIKA nesër do të shpërndahen 1.500 batanije dhe 1.500 pako ushqimore për familjet që janë prekur nga tërmeti.

TIKA dhe institucione të tjera të Turqisë kanë ofruar ndihma edhe gjatë situatave të tjera emergjente gjatë viteve të fundit.

Shqipëria u godit nga dy tërmete të fuqishme, me epiqendër në Durrës në orën 3:55 me magnitudë 6,3 në thellësi 10 kilometra dhe më vonë me një magnitudë 5 në Kepin e Rodonit.

Numri i viktimave nga tërmeti që goditi Shqipërinë më 26 nëntor sipas institucioneve të vendit ka shkuar në 18, ndërkohë mbi 600 persona janë plagosur dhe 41 janë shpëtuar nga rrënojat.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re