Ministria e Brendshme e Shqipërisë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës dhe Ministria e Brendshme e Mbretërisë së Bashkuar kanë nënshkruar gjatë Ministerialit të mbajtur në Tiranë, një Deklaratë Bashkëpunimi.

Ministrat Balla, Tomlinson dhe Sveçla konfirmojnë kështu angazhimin për të bashkuar përpjekjet në luftën kundër migracionit të paligjshëm, i cili ka një ndikim të drejtpërdrejtë në sigurinë e vendeve dhe mirëqenien e qytetarëve.

Tre vendet partnere, përmes dokumentit nënvizojnë se përballen me sfida të përbashkëta, nisur nga migracioni i paligjshëm tek krimi i organizuar. Në Deklaratë thuhet se bashkëpunimi i zgjeruar në nivel operacional midis agjencive të zbatimit të ligjit dhe angazhimet e përbashkëta, do të ndihmojë në çmontimin e grupeve kriminale që lehtësojnë kalimet e paligjshme të kufirit duke shfrytëzuar migrantët dhe refugjatët vulnerabël.

Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria sjellin ndërmend Komunikatën e Përbashkët të vitit 2022, e cila u fokusua në masat e zgjeruara për të trajtuar migracionin e paligjshëm. Kjo përfshinte krijimin e një Task Force të Përbashkët të Migracionit Mbretëri e Bashkuar – Shqipëri dhe rezultoi në uljen e mbërritjeve të anijeve të vogla shqiptare me 90% në vitin 2023.

Megjithatë, përmes dokumentit të firmosur sot, ministrat theksojnë se krimi i organizuar i imigracionit mbetet akoma sfidë, duke përfshirë transitin e shtetasve të vendeve të treta brenda Ballkanit Perëndimor dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Kosova i bashkohet Task Forcës së Përbashkët të Migracionit për të ofruar një reagim të përbashkët të zbatimit të ligjit ndaj migrimit të paligjshëm. Kjo do të mundësojë rritjen e aktivitetit të përbashkët operacional dhe rritjen e niveleve të shkëmbimit të të dhënave dhe informacionit.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re