Nga: Alban Gorishti

Shqipërinë moderne shpesh e shoh si atë rrugën me gropa, të cilën e asfaltojnë pas shumë vitesh por duke lënë nën të kanalizime të pa zhbllokuara, tubacione të pariparuara, ndaj ajo hapet përsëri pasi është shtruar duke krijuar në gjatësinë e saj, gropa, gunga, andra etj, prej gjërave të cilat e amortizojnë atë akoma pa u inaguruar mire. Kështu Rilindasit e hodhën shtresën e pare, komunizmi e rihapi duke e lënë gropa gropa ndërsa moderniteti ngriti pallate mbi rrugët e amortizuara.

Në vitin 1899 në Bukuresht u botua vepra e rilindasit të njohur Sami Frashëri “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e çdo të bëhet”, një manifest I cili u cilësua si planprogram I së ardhmes, një vepër e cila do të skiconte hapat dhe konturin e një shteti akoma të paformuara por që shpresonte Pavarësinë. Samiu ishte një poliglot I cili zotëronte shkëlqyeshëm shumë gjuhë, por po ashtu duhet thënë se shumicën e krijimtarisë së tij intelektule ai e botoi në Turqisht pasi edhe vet, jetoi aty pjesën më të madhe të jetës së tij. Ajo që më ka habitur vazhdimisht nga tekstet apo propaganda komuniste në të kaluarën mundet të përmblidhet në fjalinë e mëposhtme “Veprat e Samiut në turqisht përshkohen nga ide iluministe dhe godasin obskurantizmin fetar të Perandorisë Osmane”,nën këtë shprehje është e habitshme sesi fshihet negativisht një dikotomi asgjesuese, e kjo për shkak të përdorimit të figurës së Samiut prej sistemit komunist për interesa ideologjike. Si mundet ta urrejë kaq shumë (saç e ka propaganduar sistemi ) njeriu vendin ku ai bujti deri në vdekje, apo të shkruaj vepra akademike në gjuhën e një kombi që e urrente? Ai shkruajti për shkëputjen nga perandoria në momentin e “mbytjes së anijes” si “një një të vdekur që duhej varrosur sa më pare”, por ai padyshim rrezikun kryesor ai e pa tek lakmitë e shovinistëve fqinjë, lakmi që i mbështetnin fuqitë imperialiste. Sami Frashëri pasuroi më tej mendimin politik të Rilindjes dhe ndikoi fuqishëm për zhvillimin e lëvizjes kombëtare në fundin e shek. XIX dhe në fillimin e shek. XX, po ashtu ai në këtë vepër I trajtoi shqiptarët si pasardhës të Pellazgëve, si dhe vlerësoi figurën e Skënderbeut pikërisht në dritën e këtyre ndryshimeve të mëdha që po pësonte kontinenti përgithësisht dhe Shqipëria specifikisht. Ishin kohë me koncepte të mjegullta politike, ndaj mitologjia edhe në vendet përreth u zhvillua më tepër se çdo zhaner tjetër letrar. Ndaj në këtë vepër ai skicoi aleatët, armiqtë dhe shkaqet e formimit të një shqipërie politikike. Ishte një kohë (sipas Samiut) që rreziqe të mëdha u vinin shqiptarëve edhe prej grindjeve e përçarjeve midis tyre, sidomos prej përçarjes fetare, gjithashtu prej padijes, prej mungesës së shkollave shqipe. Këto rrethana i hapnin shteg rrezikut të asimilimit të shqiptarëve prej të huajve. Ndaj kjo I hapi rrugë edhe krijimit të një identiteti të ri I cili do të shkëputej me të shkuarën por duke rivlersuar disa figura dhe qëndrime të caktuara, që I përkisnin të shkuarës, mbi të cilat do të krijohej identeti I ri. Ky identitet u skicua si domosdoshmëri e riformatimit nacionalist Evropian të post revolucionit Francez. Padyshim, Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të përballonte goditjet e shteteve ballkanike dhe të Fuqive të Mëdha, se shkatërrimi i saj ishte i shpejtë e i pashmangshëm por ajo që i shtojnë disa “opinionist” është shprehja “ e kalbur që nga themelet”. Kjo realisht ishte pjesë e propagandës shoviniste, pasi themelet e atij shteti ishin histori arritjesh dhe fuqie, e këtë e dëshmon edhe vet jeta dhe vdekja e Shemsedin Samiut (siç e quanin Turqit). Ai ishte nëpunës dhe intelektual shqiptar i Perandorisë Osmane I cili vdiq në Stamboll në 1904.

Faktikisht Samiu skicoi mendimin politik të Shqipërisë (për vitet që pasonin) por nuk e pa pavarsinë e Shqipërisë dhe as ndasitë krahinore që u maksimizuan tek një politikë e brendëshme asgjesuese e fuqisë. Kjo nuk ishte ajo që kishte projektuar Samiu në traktatin e vet, por asnjë komb nuk mundet të ndërtohet mbi bazën e urrejtjes brenda llojit ashtu sikurse ndodhi në shqipëri. Urrejtja ndaj fesë së shumicës ishte një projekt realisht jo “Frashrian” por I cili u favorizua nga urrejtja e madhe që vet ne si shqiptar ushqejmë për njëri tjetrin, urrejtje që e drejtoi bajonetën e turkofobisë drejt individëve të së njejtës strukture etnike. Ishte koha kur urejtja për një pushtet të caktuar u shndërrua në sindromë kombëtare dhe politikë përjashtimi. Edhe pse shumicë, muslimanët u shtypën, dhunuan, deportuan nga cepi më cep të shqipërisë etnike. Ajo që bëri më pas komunizmi ishte pikërisht e ndërtuar mbi këtë skicë pre-Pavarsi të rilindasve, por rilindasit (Samiu e të tjerë) harruan se shtetet e reja nuk ndërtohen duke mohuar një pjesë të historisë por duke përmendur të mirat dhe këqijat e të kaluarës në planprogramin e së ardhmes. Shpesh ky 500 vjet pushtim u paraqit si urrejtje ndaj shqiptarve prej turqve, por duke pare lirinë dhe formimin intelektual të figurave të shquara shqiptare nën perandorinë (në shekuj) e sheh këtë pretendim si retorikë shoviniste të financuar nga qarqe antishqiptare. Po ashtu këtë më së miri e dallon kur arvanitasve (shqiptarëve) të shquar që skicuan dhe bënë revolucionin grek, iu desh të shtireshin si grek apo të mohonin prejardhjen e tyre shqiptare. Gjë, që nuk ndodhi me turqinë dhe shqiptarët që vepruan atje, përfshi edhe babain e shtetit modern shqiptar, Ismail Qemalin.

Sot pikërisht prej kësaj ndasie shekullore të brendëshme dhe coptimeve të dhunshme shoviniste, 10 milionë shqiptarë janë në 6 vende të ndarë, aq më keq kur numri i tyre është më i madh i shpërndarë gjithandej botës! Ndërsa vetëm në Turqi jetojnë 5 mil shqiptarë që ndoshta edhe pse nuk e flasin shqipen mire, nuk harrojnë të thonë se jemi shqiptarë, ndërsa në vendin e shovinizmit fetar par exellence (Greqi) ka me miliona shqiptarë që e mohojnë prejadhjen ose e mbajnë të fshehur, edhe pse një pjesë e madhe e tyre flasin apo kanë folur shqip.
Ndërsa nga ana tjetër, teksa shkruaja artikullin më erdhi në mendje figura e Hamit Matianit, ai I cili luftoi fashistët, nazistët dhe u var nga komunistët. Në një intervistë djali I vetëm I tij pohon : “Eshtë e vërtetë që krerët komunistë i kërkuan bashkëpunim për të luftuar së bashku. Janë të njohura dy takimet e babait me Mustafa Gjinishtin, një nga komunistet e parë, i cili gëzonte mjaft respekt në zonën e Peqinit dhe ishte i shkolluar në Perëndim. Miq të babait më kanë treguar se në njërin prej këtyre takimeve babai, pasi ka refuzuar të bashkëpunoje me komunistet i ka thêné atij. “Vertet ti Mustafa je njeri i kulturuar, por s’po e kupton yllin e kuq bolshevik që mban në kapele!!Nje ditë populli ynë ka për të vuajtur nga bolshevizmi. Më mirë hajde me mua dhe vdis si burrë sesa të vdesësh nga vetë komunistët. Ti ke për të vdekur para meje”. Dhe fatkeqësisht ashtu ndodhi. Më pas ai u vra nga vet komunistët para se të vinte në pushtet partia komuniste. Siç duket me heqjen e Mustafait, Enver Hoxha si bir i këtij vendi që ishte , ka dashur të eleminojë çdo lloj figure dinjitoze (siç ishte Mustafai edhe pse i majtë) para se të ndërtonte i pashqetësuar shtetin diktatorial. Por konceptuelisht, nuk desha të ndalem tek Enveri, por pak tek Mustafai dhe tek Hamiti. Të të vrasi armiku është diçka, por të të vrasë silloji yt i një ideali, kjo është diç tjetër. Kjo tregon për gjenetikë, shejtanllëk, diskrepancë karakteriale. E si mundet të ndërtohet një shtet apo skicë politike (si ajo e Samiut) me këtë dimensión shpirtëror njerëzish? Si mundet të funksionojë një përjashtim i së kaluarës dhe vlerësim maksimal i të huajit, në një ekuacion të tillë gjendjesh dhe idesh? Komunizmi u ngrit mbi individin, por ndoshta jo atë të keqin, por pikërisht (si Mustafai) idealistin harrues dhe përjashtues të çdo lidhjeje me themelet e së kaluarës, ndërsa e kaluara e shqipërisë nuk mundet të ndahej nga e ardhmja e saj.

Hamiti si dhe intelektualë të tjerë paralajmaruan që shpejt kundër komunizmit i cili dalëngadalë po instalohej në Shqipëri. Familja e tij u zhvendos nga lartësitë e Matit për tek ultësitë e Mzyeqesë për shkaqe hasmërie. Por, emri i Hamit Matianit do të mbahej mend si një nacionalist që luftoi me zgjuarsi të pashoqe kundër bishës komuniste dhe rreth të cilit do të dëgjoheshin shumë histori mbreslënëse.

Shumë mendojnë se kur i thua ma përshkruaj një vend, ajo që kërkohet më së shumti është ta përshkruash atë vend nga ana gjeografike. Por sistemet e mbara apo të mbrapshta instalohen nga kjo pa/aftësi e njeriut për të çuar në vend përshkrimin më të duhur të një vendi, atë shpirtëror/karaterial. Kjo pasi traktati i Samiut neglizhon përshkrimin e vërtetë të natyrës së shqiptarit dhe koncepti i tij politik, i cili fokusohej tek sistematizimi dhe funksionimi, por jeta e Hamit Matianit brenda një shqipërie të mbytur nga kanuni i gjakmarrjes, tregon se fama e tij u rrit pikërisht për shkak të këtij“moçali” kulturor dhe u denigrua padrejtësisht për shkak të një moçali tjetër, atij që prodhoi karakteri inat mbajtës, vëllavrasës i shqiptarit , sistemit komunist . Mbështetësit e teorive kulturore /sociale këmbëngulin se gjuha, diskursi, dhe kultura kanë një autonomi dhe logjikë më vete. Kjo i hapi rrugë konstituimit të teorive raciste në kaluarën, veçimi, anashkalimi, përjashtimi, urrejtja ndaj një populli ose race zhvilloi ndasi dhe varësi të mëdha në të kaluarën. Ata neglizhuan faktin se eksperienca, emocionet, dhe madje edhe sensi i individualitetit dhe identiteti përbëjnë një sferë të brendëshme që shpesh ka imponuar kursin e vet mbi gjuhën dhe kulturën (për mirë apo keq). Me sa duket disa popuj e kanë sferën individuale më kaotike se disa të tjerë (apo e kundërta). Komunizmi (në kundërshtim me teoritë supremaciste të racës së bardhë) u zhvillua në një moçal emocional në të cilën mendimet e pakrehura prodhuan emotivitet të pakrehur, por e habitshmja ishte se izoloi llojin e njejtë dhe jo “tjetrin” e kundërt ashtu sikurse bënë teoritë e tjera të kohës. Njëfarë mazokizmi/mesanik, i cili në projektin e Samiut dhe trimërinë e Hamitit (i cili luftoi deri në fund kundër sistemit diktatorial edhe pse mundet të ikte e të vdiste plak) me shembullin e këtij të fundit para gjykatës së stisur komuniste të bën të kuptosh se midis teoricienit dhe nacionalistit të vërtetë (pra ai që e do vendin e vet) nuk qëndron vetëm dikotomia teori/praktikë, por edhe një metamorfozë e vazhueshme identitare e rrënjosur thellë në formimin shekullor të një populli. Tek e fundit individët e shohin dhe i përgjigjen botës vetëm nëpërmjet perdes së gjuhës apo kulturës ndërsa që të projektosh rrjedhën psikosociale të një vendi duhet të mbështetetsh mbi disa komponentë thelbësor, njeriun e besës, strategun e psikologjisë dhe ligjet hyjnore në natyrën e krijesave të gjalla dhe gjësendeve të cilat formojnë fuqinë dhe energjinë e individit, siç janë trimëria, frika, besnikëria, tradhtia dhe padyshim strategjitë e së nesërmes. Mungesa e tërë këtyre komponentëve e çon një teori ose në një formë komunizmi ose në një formë teorie autokratike.

Padyshim se Samiu shkruajti edhe për koncepte të tjera në traktatin e vet (siç shkruajti edhe për besën), por injoroi se pas tij mundet të vinin njerëz që të merrnin traktatin e tij duke i vendosur kopertinën e vet personale, kopertinë kjo që u skicua pjesërisht mbi akuzimin dhe shpifjen ndaj nacionalistëve të vërtetë, si Hamiti. Por duhet thënë se ajo e Hamitit, ishte një përpjekje brenda një konteksti ( ai shqiptar) i cili pas Rilindjes i harroi “ligjet hyjnore” të së kaluarës ndaj, patriotët si Hamiti nuk u vranë nga dora e ndonjë prokurori injorant por nga dora e një pjese të popullsisë si ajo e barinjëve, këpucarëve dhe bujkve që më vonë morrën statusin e veteranit që shkonte për vizitë çdo 5 maj në familjet e dëshmorëve për të ngrenë një darkë qyl. E sot pas kaq shumë kohësh Shqipëria është larg nga ajo që portretizoi Samiu apo nga ajo për të cilën luftoi Hamiti, por fatkeqësisht ndasitë që gjeti dhe përcolli komunizmi i ka maksimizuar edhe ky sistem, me një përjashtim të vogël, se bijtë e veteranëve të dikurshëm sot janë filantrop të “arrirë”.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re