Shqipëria dhe Kosova do të intensifikojnë bashkëpunimin për procesin e reformave në sistemin e drejtësisë, u theksua gjatë deklaratës për media të ministres së Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, me homologun e saj të Kosovës, Selim Selimi.

Gjonaj dhe Selimi realizuan një takim në Tiranë, në kuadër të vizitës zyrtarë në Shqipëri të ministrit kosovar, ndërkohë në deklaratën e tyre u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit në sistemin e drejtësisë, përgatitjet për një marrëveshje mes dy ministrive dhe çështje të tjera.

Ministrja Gjonaj tha se gjatë takimit kanë diskutuar për reformat dhe prioritetet e dy ministrive dhe për intensifikimin e bashkëpunimit.

“…E përgëzova ministrin për marrëveshjen që kanë firmosur në Uashington dhe gjitha rezultatet pozitive që kanë pasur deri tani dhe me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje me Serbinë…”, u shpreh ajo.

Gjonaj tha gjithashtu se një bashkëpunim i tillë do të ndihmojë akoma më shumë në realizimin e aspiratës së përbashkët për integrimin në BE.

“…Unë besoj se së bashku me ministrin Selimi do të kemi jo vetëm një bashkëpunim, por edhe një komunikim shumë më të mirë, shumë më të afërt me qëllim për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të shkëmbyer eksperiencat, por njëkohësisht edhe për të patur mundësinë e realizimit të aspiratës së përbashkët për integrimin në Bashkimin Evropian…”, shtoi Gjonaj.

Duke iu referuar reformës në sistemin e drejtësisë që po zbatohet në Shqipëri, Gjonaj theksoi se “po japim shembullin njëkohësisht edhe për ministrinë e Kosovës dhe u dakorduam që te kemi një bashkëpunim pikërisht në këtë prioritet të ri që Ministria e Drejtësisë së Kosovës ka ndërmarrë lidhur me reformimin e sistemit të drejtësisë”. 

Ministri Selimi tha se Kosova ka shumë punë për të bërë dhe shtoi se “Ne kemi filluar reformën në sistemin civil, në sistemin penal, kemi filluar gjithashtu që të mendojmë për skenarë tjerë të llogaridhënies, siç është ai i vetingut”.

“…Jemi dakorduar që të intensifikojmë bashkëpunimin, i cili ka ekzistuar edhe më herët, por që ta intensifikojmë me grupe ekspertësh, me shkëmbim të përvojave veçanërisht në fushën e sistemit reformues. Mendoj që reforma e mirëfilltë nuk mund të bëhet pa i marrë vendimet e vështira dhe të mundimshme…”, tha Selimi.

Ai theksoi se faktori shqiptar, qoftë në Kosovë, në Shqipëri, në Maqedoni të Veriut dhe në Luginën e Preshevës është duke u faktorizuar shumë e më shumë dhe sipas tij ky faktorizim do të thotë pjesëmarrje e përbashkët në vlera proevropiane dhe euroatlantike. 

“…Ne u pajtuam që ekspertët tanë të bëjnë punën përfundimtare për të lidhur marrëveshjen e cila do të bëhet gjatë mbledhjes së dy qeverive. Gjithashtu u pajuam me ministren që të intensifikojmë bashkëpunimin e reformave në drejtësi kundrejt integrimit evropian. Shqipëria ka bërë hapa konkretë në këtë rrugë dhe Kosova do të reflektojë mësimet më të mira në reformë, në mënyrë që t’i arrijmë standardet evropiane…”, theksoi ministri Selimi.

Brenda këtij muaji pritet që të zhvillohet mbledhja e përbashkët midis qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës.

Nga ana tjetër, në Tiranë është nënshkruar marrëveshja për themelimin e Ligës Unike të Basketbollit Shqipëri-Kosovë, me pjesëmarrjen e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë nga të dyja vendet dhe kryetarit të FIBA Evrope, Turgay Demirel.

Në fjalën e mbajtur në eventin e organizuar për krijimin e kësaj lige, kryeministri Rama tha se liga e përbashkët në basketboll do të jetë shtysë edhe për nisma tjera.

“…Ajo që është e rëndësishme në vetvete për basketbollin është që ngre patjetër nivelin e konkurrencës dhe krijon më tepër hapësirë për të pasur më shumë cilësi në ndeshjet në fushën e basketbollit. Ndërkohë jam i bindur po ashtu që kjo është një eksperiencë që do ta bëjë shumë më të shpejtë dhe do ta nxisë shumë më tepër mekanizimin jo fort të lehtë për t’u vënë në lëvizje për shkak të një segmentimi të madh të aktiviteteve të përbashkëta sportive në nivel universitar apo në nivel parauniversitar…”, u shpreh Rama. 

Pjesë e ceremonive për këtë marrëveshje ishte edhe ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, Vlora Dumoshi, e cila sipas një njoftimi nga institucioni që ajo drejton ka theksuar se i përkrahin federatat në përgjithësi, konkretisht edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës. Ajo është shprehur se me shpalosjen e idesë nga kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, e ka përkrahur pa mëdyshje dhe pa hezitim.

Marrëveshja për ligën e përbashkët u nënshkrua nga kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu dhe kryetar i Federatës Shqiptare të Basketbollit, Avni Ponari.

Në këtë ligë do të marrin pjesë tetë skuadra, katër më të mirat nga Kosova dhe katër më të mirat nga Shqipëria si dhe organet e mekanizmat e tjerë drejtues do t’i kenë me numër të barabartë të përfaqësuesve.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re