Kanë hapur siparin Lojërat Olimpike Dimërore “Pejongcang 2018’’ në Korenë e Jugut. Mes 92 shteteve pjesëmarrëse janë edhe Shqipëria e Kosova, të cilat kanë bërë parakalimet e tyre në ceremoninë e hapjes. Kjo e fundit është zhvilluar në orën 20:00 me orën lokale, në një temperaturë tipikë dimërore prej -12˚ C. Në këtë Olimpiadë, Shqipëria përfaqësohet me dy sportistë, Erjon Tolën dhe Suela Mëhillin. Kjo e fundit ishte edhe flamurmbajtësja e ekipit tonë olimpik dimëror. Bashkë me ta është edhe trajneri italian, Marko Teroni, pasi sportistët tanë stërviten në Itali për pamundësinë e kushteve në vendin tonë.

Ndërsa Kosova vjen në këtë olimpiadë me vetëm një sportist, Albin Tahirin, i cili ka lindur në Slloveni dhe për herë të parë do të përfaqësojë flamurin e Kosovës në një Olimpiadë Dimërore.

Pikërisht gjatë ceremonisë, dy delegacionet shqiptare kanë bërë një foto të përbashkët për të treguar se edhe pse dy skuadra apo dy flamuj, ata janë e njëjta ‘’zemër’’ dhe secili prej tyre do përpiqet ti bëjë krenar shqiptarët me rezultatet që do arrijnë.

Por forcën më të madhe të bashkimit, e solli parakalimi i ekipit të përbashkët korean me sportistë nga Korea e Veriut dhe e Jugut. Sporti edhe njëherë tregon se më shumë se politika arrin të bashkojë njerëzit.

Garat do të zhvillohen në dy javë dhe në datën 25 shkurt do të bëhet ceremonia e mbylljes. Ndërkohë sportistët shqiptarë do të konkurojnë vetëm në Ski alpine./Berati.TV

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re