Vendi yne mund të mbetet i izoluar, të paktën edhe gjatë dy javëve të para të gushtit dhe me shumë mundësi gjatë gjithë verës.

Të dhënat e fundit japin pak shpresë, që BE të ndryshojë vendimin pas dy ditësh, për hapjen e kufirit më 1 gusht. Madje BE po zgjeron izolimin, pas përjashtimit të Serbisë dhe Malit të Zi, për vendet e saj anëtare. Rastet në rritje, në Spanjë, kanë detyruar disa vende të vendosin bllokimin  e lëvizjeve të ndërsjella me iberikët.

Sipas të dhënave zyrtare për të gjitha vendet, Shqipëria ka rregjistruar në total 4,997 raste pozitive me Covid-19. Vetëm në 24 orët e fundit në vendin tonë janë prekur 117 persona. Në total, 148 vetë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë, 4 prej të cilëve në 24 orët e fundit.

Ritmi në rritje si për Shqipërinë, ashtu edhe vendet e tjera fqinje, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnja, apo Serbia dhe Mali i Zi,  kur po diskutohet sërish vendimi, e bën edhe më pak optimiste situatën e hapjes së kufirit.  Sipas rregullores, duhet që në 100 mijë banorë, shifrat e të prekurve në Shqipëri, të llogariten në të njëjtin nivel, me shifrat e vendeve të BE”.

Dukshëm Shqipëria është në pozita aspak favorizueze me vendet fqinje të BE-së, sikurse edhe me dy vendet vendim-marrëse, Gjermaninë dhe Francën.

Të rikuperuar janë 2,789 persona por aktivë me COVID-19 mbeten 2,060 shqiptarë, prej të cilëve 17 aktualisht janë në gjendje kritike. Rastet në total për 1 milion banorë janë 1,737 dhe 51 të vdekur numërohen për po kaq banorë. Shqipëria ka kryer 34,477 teste në total, ose 11,981 teste për 1 milion banorë, ndërsa popullsia zyrtare e vendit tonë është 2,877,556 banorë.

Kroacia, vend i BE-së dhe me një popullsi sa Shqipëria ka 42 raste të reja dhe 1 të vdekur në 24 orët e fundit, si pasojë e kësaj sëmundjeje. Bosnja, gjithashtu vend me një popullsi të ngjashme, kë shënuar 268 raste dhe 3 të vdekur në 24 orët e fundit.

Vetëm 52 raste të reja janë shënuar në Greqi, dhe një jete e humbur në 24 orët e fundit.

Gjermania ka rregjistruar 207,508 raste në total, 129 më shumë gjatë ditës së sotme, ose gati sa Shqipëria. Vetëm një i vdekur raportohet nga COVID në Gjermani në 24 orët e fundit. Por diferenca mes dy vendeve është e madhe nëse ajo logaritet për 1 milion banorë, ose 100 mijë banorë.  Gjermania ka një popullsi 25 herë më të madhe se Shqipëria.

Franca, vendi i dytë më i rëndësishëm vendimarrës i BE-së, numëron 183,079 raste në total dhe 30,209 raste aktive, por nuk ka bërë ende përditësimin e 24 orëve të fundit.

Kujtojmë se Franca është duke larguar të gjithë ata që kanë kërkuar azil në këtë vend, përfshirë edhe shqiptarët të shumtë të cilët janë rikthyer këto ditë.

Shqiptarët, sipas këtyre ritmeve, ashtu edhe qytetarët e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të shpresojnë që në shtator vala e pandemisë të bjerë, dhe ata të mund të rifitojnë të drejtën e lëvizjes së lirë, për në zonën Shengen, apo vende të ndryshme të BE-së./noa/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re