Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, është shprehur se Shqipëria duhet ta kuptojë mirë rolin që ka lidhur me tensionet mes Kosovës dhe Serbisë pas sulmeve në Veri.

Ai tha se vendi ynë nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj asaj ç’ka po ndodh në Veri, por ka detyrimin ta mbështesë Kosovën.

Komentet Lleshaj i bëri gjatë një interviste në News 24, ku tha se sulmet në Veri ngjasojnë me atë çka ndodhi në Krime në vitin 2014, kur u sulmua nga Rusia.

Ai i cilësoi ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës si një sulm të mirëfilltë ushtarak që dështoi.

“Ka ngjashmëri me atë që ndodhi në Krime në 2014-ën. Për mua është përtej terrorizmit, është më keq se ajo. Ky ishte një sulm i mirëfilltë ushtarak që nuk funksionoi. Vrasja e një polici nuk është terrorizëm. Sulmi u përkufizua keq. Thelbi i tij është pak më shumë.

BE nuk është ende në gjendje as ta njohë Kosovën si shtet të pavarur për sa kohë ka ende shtete anëtare të tij që nuk e njohin. KFOR nuk i merr kujt leje për zonën që kontrollon në Kosovë. Nuk shoh ndonjë vlerë të shtuar përpos retorikës te kërkesa e Ramës për ta.

KFOR meriton kritikë se si ka mundësi të jetë indiferent për një arsenal të tillë ushatarak brenda Kosovës, që nuk besoj të jetë i vetmi. Shqipëria duhet të kuptojë mirë rolin që ka. Nuk kemi luksin për t’u sjellë në mënyrë indiferente ndaj Kosovës. Kosova e di vetë se çfarë do, askush veç tyre nuk mund ta dijë. Roli ynë është t’i mbështesim ata. Shqipëria ka detyrë vetëm të pyesë se çfarë u duhet dhe më pas t’i ndihmojë Kaq

Shqipëria mund t’i ndihmonte vetëm duke u dalë në krahë, në të mirë e në të keq. tensioni mes Ramës dhe Kurtit nuk duhet të ekzistojë. Kosovës i duhet shkuar nga pas në këtë rrugëtim. Edhe nëse ata zgjedhin rrugën jo të duhur. Ne nuk dimë më mirë se ata në lidhje me këtë rrethanë. Kosova nuk vuan për talente, por për fuqi. Edhe përpjekja për draftin ishte e padobishme, sepse nuk vuan njeri nga mungesa e draftit.

Ngërçi kryesor është diskutimi mes Kosovës dhe Serbisë për t’i dhënë fund luftës. Serbia e ka hapur luftën në Kushtetutën e saj. Vuçiç nuk meriton asnjë bonus publik nga asnjë politikan shqiptar, gjë që e ka marrë. Ai është një ish-ministër i Millosheviçit dhe mbështetës i hapur i Putinit. Me këto identitete ai nuk meriton asnjë bonus as nga komuniteti euro-atlantik”, u shpreh ai.

 

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re