Pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019 dhe atij që ra së fundmi në
Turqi, institucionet shqiptare duhet të mbajnë një sy hapur sa i takon
gjendjes dhe vigjilencës në Shqipëri.

Sizmilogu Rrapo Ormeni thotë se vendi ynë tashmë ka hyrë në një periudhë me aktivitet të lartë sizmik.

Tërmeti me magnitudë 7.5 rihter që është paralajmëruar në Turqi, pritet të ndihet edhe në Shqipëri.

Por vendi ynë është mbi 2500 km larg, kjo bën që energjia të shuhet
dhe ndjeshmëria në vendin tonë mund të jetë deri në 5-6 ballë.

“Është një tërmet me magnitudë 7.5 rihter, që i thonë mbi 10 ballë.
Kjo do të thotë që shkakton dëmtime të mëdha. Vetëm godinat e dëmtuara
fort i rezistojnë. Por Shqipëria është rreth 2500 km larg, ai këtu do të
vijë 5-6 ballë. Nuk shkakton asgjë tek ne.”

“Pragu kur fillojnë dëmtimet është 7 ballë. 6 ballë nuk ka efekt
dëmtues, 5 ballë është vetëm i frikshëm që ndihet nga njerëzit. Që nga
epiqendra që është në Turqi këtu vjen i ulët. Ai do të ketë efektin e
ndjeshmërisë, por jo efekt dëmtues. Energjia do shuhet”, theksoi
sizmologu.

Tërmetet nuk parashikohen, por studimet mund të japin të dhëna të
vlefshme, për të qenë sa më të përgatitur në rast të ndonjë tërmeti
tjetër të fortë.

“Edhe Shqipëria duhet të ketë një sy hapur. Edhe në Shqipëri kemi
pasur periudha me nivel sizmik të ulët siç ka qenë nga 79-2019 dhe
periudha me aktivitet sizmik të lartë”, theksoi ai.

I ftuar në studion e emisionit “360 gradë” në RTV Ora, duke folur pas
tërmetit në Turqi, një tjetër zonë sizmike afër vendit tonë, Ormeni,
ndër studiuesit e paktë dhe të mirëfilltë të sizmologjisë që i kanë
mbetur vendit tonë, shprehet:

“Këto periudha përsëriten. Ne tani kemi hyrë në një periudhë me
aktivitet sizmik të lartë. Këtë e tregoi tërmeti i Durrësit. Këto
periudha kanë ciklet e tyre. Nëse periudha me aktivitet sizmik të ulët
zgjat 40 vjet, periudha me aktivitet sizmik të lartë zgjatin 17-23
vjet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re