Skip to content

“Shqipëria e angazhuar në mënyrë të palëkundur në paqe”/ Ferit Hoxha deklaratë të përbashkët me ministrin e Jashtëm izraelit: Dënojmë Iranin dhe sulmet e tyre

Capture 202

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka zhvilluar një deklaratë të përbashkët për mediat me homologun e tij izraelit, Gideon Sa’ar, ku në fokus kanë qenë marrëdhëniet mes dy vendeve, bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme.

Gjatë fjalës së tij, Hoxha shprehu mirënjohjen ndaj Izraelit për ndihmën në mbrojtjen kibernetike pas sulmeve të Iranit ndaj Shqipërisë. Ai theksoi se partneriteti mes dy vendeve po zgjerohet edhe në fushën ekonomike, ndërsa vlerësoi rritjen e numrit të investitorëve izraelitë në Shqipëri.

Ministri nënvizoi gjithashtu rëndësinë e marrëdhënieve mes qytetarëve të dy vendeve, duke e cilësuar turizmin si një urë lidhëse mes Shqipërisë dhe Izraelit.

“Shqipëria mbetet e angazhuar në mënyrë të palëkundur për paqen dhe dialogun ndërkombëtar”, u shpreh Hoxha.

Duke iu referuar zhvillimeve në Lindjen e Mesme, ministri shqiptar dënoi sulmet e Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, duke theksuar se ato cenojnë paqen dhe sigurinë në rajon. Hoxha kujtoi gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë ndaj Teheranit, duke deklaruar se vendi ynë e ka shpallur Iranin shtet sponsorizues të terrorizmit.

Në përfundim, Hoxha vlerësoi qëndresën historike të popullit izraelit përballë vuajtjeve dhe sfidave, duke theksuar se pak popuj në histori kanë kaluar përvoja të ngjashme.