Ish-kryeminstri Berisha publikoi një set çertifikatash të policit në arrati, Emiljano Nuhu, që me denoncimet e tij nga Zvicra trazoi këto ditë politikën shqiptare, me keq se ç’ishte e trazuar. Është fjala për atë anë të çështjes “Xhisiela”, e cila lidhet me kërcënimin e pretenduar prej tij, ku siç thotë, po pa ofruar asnjë provë të vetme – gjë duhet ta bënte pasi ia dikton dhe profesioni – ka qenë prezent te një pistoletë në kokën e tij, edhe deputeti Taulant Balla.

Ky i fundit, por dhe kryeministri Rama, e kanë denoncuar si mashtrues të ulët – deri dhe horr, sipas shefit të qeverisë. Në gjykimin e mazhorancës, ai, polici që ka braktisur detyrën e ia ka mbathur jashtë, po bën lojën e ulët të opozitës, edhe në funksion të marrjes së një azili atje ku ndodhet.

Dhe në fakt, mënyra se si po i mëshon edhe opozita aspektit vërtet të dyshimtë të pranisë së deputetit Balla në një skenë kërcënuese me pistoletë në dorë – tejet surreale ashtu siç e servir polic Nuhu – të jep përshtypjen e një skenari të gatuar por pa shumë kujdes, pasi nga mënyra se si po e shfrytëzon opozita, është paksa fyese dhe për inteligjencën më normale.

Po le të ndalemi tek çertifikatat e Nuhut. Ato nuk thonë asgjë për dy aspekte: e para se ai ka dezertuar nga detyra. Të gjitha ato çfarë ka marrë, tashmë vlejnë për në kosh pasi është ai i pari që i ka hedhur aty, te koshi. Në një profesion ku në gjoks ka ndërgjegjen, vetëdijen, paktin moral dhe kurajon për të luftuar me krimin e paligjshmërinë, e në brez pistoletën për të qëlluar ndaj tyre në rast nevoje, ato çertifikata tashmë ngjajnë të jenë dhënë gabim. Nuhu, sipas kodit profesonal dhe etik, përfshihet te dezertorët. E dyta, përvoja e Shqipërisë nën tranzicion, na ka dhënë leksionine trishtueshëm se nëse nuk ke moralin e nevojshëm dhe vetëdijen e thellë mbi atë që të është besuar, nuk të vlen asgjë nga ai që konsiderohet shkollim.

Punët e Shqipërisë nuk kanë qenë në dorë të të pashkolluarve, përkundrazi. Vendi është drejtuar nga njerëz me tituj e grada, por që çedimi në moral i ka bërë që të jenë katastrofalë. Vetë servirësi i çertifikatave të policit Nuhu, Sali Berisha, është një mishërim i këtij realiteti paradoksal. Me titujt e lartë Profesor-Doktor, ardhur nga bota akademike në lëminë e tij, atë të shëndetësisë, ai e ka drejtuar shtetin si një profan deri në dhimbje, e me një amoralitet politik deri pikëllim.              

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re