Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim ka zbuluar se cilat janë tre prioritetet e saj në Shqipëri. Në një intervistë për Qendrën Evropiane të Studimeve mbi Sigurinë, George C. Marshall, Kim ka thënë se prioritetet e saj  lidhen me demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin.

“Shteti ligjor, gjykatat e pastra, reforma në drejtësi. Këto janë aspekte themelore të një vendi. Si anëtarë të NATO-s, na intereson një shtet që mban peshën e mbrojtjes dhe të aleancës”, deklaroi Kim.

Kim ka dhënë edhe një koment sa i përket ndërhyrjes dhe ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Shqipëri dhe në rajon. Ajo tha se shqiptarët e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre është në partneritetin me Europën dhe SHBA-në.

“Shqipëria e ka shumë të qartë kush është miku dhe armiku. Rusia dhe Kina kanë shumë pak ndikim në Shqipëri. Ata e kuptojnë shumë mirë se e ardhmja e tyre përket me Evropën dhe me partneritetin amerikan. Do të punojmë fort për këtë gjë”,-tha Kim.

Ndërsa, mbi biznesin, ambasadorja e quajti të papranueshëm faktin se si një vend me pozicion të tillë gjeografik dhe strategjik, të renditet mes vendeve të varfra.

“Nuk ka kuptim. Është një vend shumë strategjik gjeografik. Mjafton thjesht të nxirret në pah potenciali i duhur dhe minimalisht, ky vend do të jetë mesatar”, tha ajo.