Pas deklaratave të Ramush Haradinajt për referendumin e bashkimit të Shqipërisë me Kosovën ka reaguar Ambasada Ruse në Shqipëri të cilat i quajti këto deklarata si provokim.

“Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit”- shkruan Ambasada në një reagim në Facebook.

Para disa ditësh Ramush Haradinaj deklaroi për mediat se për zhvillimin e mëtejshëm të Kosovës në arenën ndërkombëtare shikon si opsion bërjen e një referendumi për bashkimin kombëtar.

“Shpjegova për rrezikun që Kosova të mbetet në pozita të njëjta për shumë vite në vijim, e rrethuar dhe e izoluar. Edhe pse ne kemi orientimin tonë euroatlantik, nuk jemi pa opsion, nëse kjo gjendje e Kosovës do të vazhdojë me tendenca që të zgjatet deri në pafundësi. Opsioni tjetër, do të jetë Referendumi i organizuar për bashkimin tonë më Shqipërinë, sepse ne nuk do të qëndrojmë duarkryq. Ky nuk është kërcënim për askënd, por thjesht Kosova e ka të domosdoshme anëtarësimin në NATO, qoftë si shtet i pavarur, qoftë si e bashkuar me Shqipërinë”.

Ky reagim i Moskës vjen menjëherë pas përplasjeve të forta që Tirana zyrtare pati me Rusinë për dëbimin e diplomatit rus në Shqipëri, për shkak se nuk respektoi masat anti Covid. Moska nga ana e saj, ultimatumit të vendosur për largimin brenda 72 orësh, e cilësoi jo të drejtë duke paralajmëruar se do të hakmerrej.

Reagimi i plotë i Ambasadës Ruse në Shqipëri:

Nga komenti i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Federatës Ruse për deklaratën e z. R.Haradinaj

Kohët e fundit një nga politikanët shqiptarë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se synon të kërkojë mbajtjen e një referendumi për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, nëse ky pseudo-shtet i vetëshpallur nuk pranohet sa më shpejt në Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare si dhe Beogradi nuk do të njohë “pavarësinë” e Kosovës.

Këtu po bëhet fjalë për një provokim të radhës, të implikuar në ideologjinë e Shqipërisë së Madhe, e cila kohët e fundit ka përparuar gjithnjë e më intensivisht në rajon dhe kërcënon drejtpërdrejt integritetin territorial të shteteve të Ballkanit. Shantazhi politik është i papranueshëm dhe pikërisht kështu duhet të interpretohet fjalimi i R. Haradinajit, i cili me lehtësi propozon të rishikojë në mënyrë arbitrare kufijtë në Ballkan.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re