Kanë nisur përgatitjet për mbledhjen e dytë mes qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze. Takimi do të zhvillohet në Podgoricë në ndërtesën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve (CANU). Kryeministri Edi Rama dhe homologu malazez, Dritan Abazoviç do të nënshkruajnë një sërë marrëveshjesh me rëndësi për avancimin e bashkëpunimit dypalësh.

Në këtë mbledhje do të nënshkruhen disa marrëveshje mes të cilave edhe për ndërtimin e urës së lumit Buna si dhe hapjen e pikës kufitare Shën Nikollë – Pulaj në territorin e Republikës së Shqipërisë. Pritet që të nënshkruhen disa marrëveshje të tjera ndërsa në fund do të ketë edhe një konferencë të përbashkët mes dy liderëve.

Ndërkohë, Abazoviç shkruan se çdo gjë është gati për mbajtjen e mbledhjes të cilën e konsideroi me një rëndësi rajonale ku do të nënshkruhen 11 marrëveshje. “Gjithçka është gati për G2G, pa dyshim ngjarje me rëndësi rajonale. Nesër mirëpresim delegacionin e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë, të kryesuar nga kryeministri Edi Rama, i përbërë nga të gjithë ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Do nënshkruajmë 11 marrëveshje. Janë akredituar mbi 80 përfaqësues të mediave. Do të bëjmë çmos që të jemi më shumë se mikpritës të mirë dhe të dërgojmë një pamje të Malit të Zi ndryshe dhe modern me mbledhjën e përbashkët të dy qeverive në godinën e sapohapur të CANU-s. Po zhvillojmë një politikë të fqinjësisë së mirë dhe po dërgojmë mesazh paqeje dhe bashkëpunimi për të gjithë Ballkanin Perëndimor”, shkruan Abazoviç.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re