Që nga fillimi i fushatës së vaksinimit “Shqipëria buzëqesh”, janë vaksinuar deri tani në rreth 320.000 persona.
Procesi i vaksinimit masiv ka vijuar në të gjithë Shqipërinë me kalendar të kombinuar, për të moshuarit +60 vjeç dhe punonjës të shërbimeve kritike.
Procesi i vaksinimit po kryhet sipas të gjithë parametrave të sigurisë dhe cilësisë nga ekipe të trajnuar vaksinatorësh në të gjithë territorin shqiptar.
“Kemi kaluar 300 mijë vaksinime”, deklaroi pak ditë më parë kryeministri Edi Rama, ndërsa shtoi se jemi në vend të parë në rajon për sa i përket menaxhimit të pandemisë dhe në vend të dytë për sa i përket vaksinimit masiv.
“Ne kemi qenë vendi i dytë në Europë që kemi bërë mbylljen e shkollave. Italia dhe ne dhe Rumania në një ditë. Ne prandaj shpëtuam se u mbyllëm se këtu do ishte bërë kataklizëm nëse ne nuk do kishim bërë mbylljen e shpejtë dhe nëse ne nuk do ishim të përgatitur nëpër spitale”, tha Rama.
Rama u shpreh se ekziston një debat i madh botëror për ekuilibrin mes mbylljes dhe njëkohësisht ruajtjes së ekuilibrave psikologjikë dhe ekonomikë të vendit.
“Në raport me Britaninë ne i kemi shifrat ku e ku më të mira, flas në krahasim për frymë. Në raport me Britaninë menaxhimi është ku e ku më i mirë. Britania pastaj hyri në një avantazh të mirë me të gjithë, jo me ne se kush jemi ne, por me të gjithë, sepse Britania siguroi vaksinimin masiv, duke mos qenë pjesë e BE-së dhe nuk i besoi mekanizmit të BE-së dhe ky ishte avantazhi i Britanisë. Ndërkohë që krahasimi me ne nuk vlen fare”, tha Rama.
“Ne këtu në rajon vazhdojmë mbetemi në vendin e parë për gjithë menaxhimin, ndërkohë që për vaksinimin Serbia filloi para nesh dhe dihen arsyet. Ne jemi të dytët dhe askush nuk ka hyrë në vaksinimin masiv. Sot që flasim kemi kaluar 300 mijë vaksinime”, tha Rama.
Në lidhje me vaksinën kineze Rama komentoi deklaratat e mëparshme duke theksuar se “në atë kohë kur unë thoja këto, Angela Merkeli thoshte të njëjtën gjë”.
“Sot, Angela Merkeli ka shkuar shumë përtej kësaj që them unë. Merkeli është kancelarja e lokomotivës së Evropës. Ajo tha ne do të marrim vaksinën Sputnik edhe nëse BE nuk e certifikon. Ndërkohë, qëllimi im ishte të garantonim vaksinat në Perëndim, kur pamë që në Perëndim u kacafytën me njëri-tjetrin, ne filluam të eksplorojmë kanalet e tjera dhe arritëm atë që shumë të tjerë tentojnë ta bëjnë dhe se bëjnë dot”, tha ai.
Vaksinat Sinovac, vijoi Rama, janë provuar në Turqi dhe nuk ka një rast të hospitalizuar të atyre që janë vaksinuar me to.
“Asnjë vaksinë nuk ka 100 % imunizim. Një pjesë e atyre që marrin vaksinë mund ta marrin kovidin por e kalojnë si një grip dhe nuk ka asnjë rast as në Kili, as në Turqi që një i vaksinuar të ketë shkuar në spital. Një vaksinë që e bëjnë oborret mbretërore të Emirateve të Bashkuara”, tha Rama.
Nga ana tjetër, në sheshin “Skënderbej”, Tiranë vijon vaksinimi antikovid i moshave +60 vjeç.
Interesi i qytetarëve ka qenë i lartë për të bërë vaksinën, e cila është arma e vetme për të luftuar virusin, gjithashtu dhe zbatimi i masave antikovid është përsëri i domosdoshëm.
Edhe qytetarët e ndryshëm të cilët sapo e kishin kryer vaksinimin ose presin që ta kryenin atë shprehen se kjo dita që më në fund erdhi dhe kishin më tepër se një vit që e prisnin…
Ndërkaq, mjekët e spitalit Infektiv në QSUT, u kanë bërë apel qytetarëve të vijojnë të respektojnë rregullat antikovid pasi virusi vijon të jetë ende prezent.
“Njerëzit kurrë nuk duhet të harrojnë se kujdesin më të madh duhet ta ketë vetvetja dhe askush tjetër, edhe në Bibël thuhet ‘duaje veten, që të dojë dhe Perëndia’. Edhe njerëzia duhet të vazhdojë këtë kujdes, sepse ende nuk jemi në fund të tunelit, është ende një rrugë e gjatë ka ende sfida për t’u përballur dhe që të përballemi me sa më shumë sukses dhe sa më pak humbje jete duhet të kujdesemi sa më shumë për njerëzit që na rrethojnë”,ka apeluar profesor Tritan Kalo.
Prof. Pëllumb Pipero është shprehur se vaksinimi antikovid duhet të vijojë duke këshilluar qytetarët të vaksinohen për të siguruar mbrojtje ndaj virusit.
“Do t’i inkurajoja sërish të gjithë qytetarët që të vaksinohen sapo t’u jepet mundësia dhe t’u krijohet si të thuash momenti për ta marrë vaksinën. Edhe një herë dua të them që të gjitha vaksinat që kemi në dispozicion janë shumë të mira, madje do thosha që vaksina më e mirë është ajo që të ofrohet më parë duke ju kujtuar masat parandaluese të cilat do të na shoqërojnë deri në fund kësaj pandemie. Vaksinimi është mjeti apo zgjidhja kryesore për këtë”, nënvizoi Pipero.
Mjeku infeksionist, Arben Pilaca gjatë një interviste televizive theksoi se deri tani 50 % e popullsisë e kanë arritur imunitetin e tufës.
“50 % e popullsisë e ka arritur imunitetin e tufës. Që të mbyllet një pandemi ky imunitet duhet të shkojë rreth 70-75 %. Besoj se nga qershori do jemi më të dashur me njëri-tjetrin, të bëjmë aktivitete më afër siç i kemi bërë. E them këtë duke u bazuar tek numri i popullsisë të prekur, numrit jo të vogël të vaksinimeve i cili ka shkuar deri në 12 %, gjithashtu dhe klima”, tha Pilaca.
Mjeku gjithashtu theksoi se procesi i vaksinimit është shumë i rëndësishëm për mbrojtjen e popullsisë pasi sipas tij është e vetmja armë për të luftuar me këtë virus.
Sipas tij, Shqipëria është pranë imunitetit të tufës nga COVID-19, kjo për shkak se një pjesë e madhe e popullsisë e kanë kaluar sëmundjen dhe pjesa tjetër po imunizohet përmes procesit të vaksinimit.
-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –
