Nga Ervin Sina

Kombëtarja shqiptare e futbolli mbylli përgatitjet në Tiranë përpara ndeshjes së parë miqësore kundër Kilit dhe do të jetë sot në Itali, vend ku do të luhet sfida.

Përballja me kombëtaren e njohur amerikano-latine do të zhvillohet të premten në mbrëmje ora 20:45 në stadiumin “Tardini” të Parmës, ndaj është zgjedhur që përfaqësuesja të jetë atje një ditë përpara për të zhvilluar stërvitjen e fundit dhe për të zhvilluar edhe konferencën për shtyp të zakonshme, ku do të jetë trajneri dhe kapiteni Gjimshiti.

Për këtë sfide të parë kuqezinjtë humbën dy lojtarë të rëndësishëm sikurse janë portieri Etrit Berisha dhe Myrto Uzuni. Ky i fundit është kthyer tek Granada në Spanjë pas një dëmtimi në tendinin e akilit, por nuk është zëvendësuar nga trajneri Silvinjo me asnjë lojtar tjetër.

Ndërsa Etrit Berisha është zëvendësuar me Alen Sherrin, portierin e Egnatias, por kjo vetëm për ndeshjen me Kilin, pasi veteran jonë i portës do të jetë në duelin e Stokholmit kundër Suedisë në 25 mars. Sot në stërvitjen e fundit Silvinjo pritet të kristalizoje idetë e tij mbi formacionin, sidomos për sulmin ku gjasat janë të kemi dyshen Arber Hoxha dhe Jasir Asani në krahët në mbështetje të Rei Manajt.

Në “Tardini” të Parmës pritet që Shqipëria të ndjehet si në shtëpi, pasi janë me mijëra biletat e shitura deri tani. Megjithatë federate saktësoi se përveç blerjeve online, biletat për këtë ndeshje do të shiten edhe fizikisht të premten në stadium, duke nisur nga ora 15:00./.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re