Kombëtarja shqiptare nuk ia del të fitoj as në debutimin e trajnerit të ri, Edi Reja. Kuqezinjtë humbasin sfidën në Islandë me ishullorët që mjaftohen me golin e Gudmundson. Reja kishte hedhur në fushë një skuadër kryesisht mbrojtëse me tre mbrojtës në vijë të drejtë por edhe dy lojtarët e krahut të mesfushës ishin sërish mbrojtës duke dhënë përshtypjen e një skuadre me pesë mbrojtës. Ndërsa në sulm ishte preferuar një dyshe e lartë me Balaj dhe Cikalleshi. Ndërkohë përballë ishte një skuadër që nuk ngjasonte aspak me atë që shkoj në europian dhe në botëror dhe madje me statistikat më të këqija të viteve të fundit pasi në 17 ndeshje kishte arritur vetëm një fitore.

Shqipëria e nis mirë dhe ka menjëherë shansin të kaloj përpara kur Hysaj godet portën pas krosimit të Lenjanit por është portieri vendas Halldorson që pret. Më pas ndeshja e humbet ritmin dhe asnjë nga skuadrat nuk tregon superioritet në fushë. Por do të vinte minuta e 22’ kur do të thyej barazpesha me Gudmundson që i kalon të gjithë dhe i vetëm me Berishën ia del të shënoj. Në fundin e pjesës së parë Shqipëria pretendon për një 11 metërsh për një prekje me dorë të kapitenit Gunarson por gjyqtari vazhdon lojën duke na djegur mundësinë më të mirë për të barazuar.

Ky fraksion i dytë i lojës nis me kombëtaren tonë që qëndron përpara duke kërkuar dhe sulmuar më shumë por pa ia dalë të jenë shumë të qartë dhe të vënë në rrezik vendasit. Reja hedh në fushë Ndojin, Kaçen dhe Sadikun dhe ndërkohë nuk preferohet beratasi Uzuni por sërish nuk ka gol. Ndërkohë vendasit përpiqen të jenë të rrezikshëm herë pas here dhe Arnson në një devijim tregohet i rrezikshëm. Në fund Ndoji provon një goditje të fortë që kalon mbi portë. Nuk kanë munguar as në këtë sfidë Tifozat Kuq e Zi që kanë mbështetur skuadrën gjatë gjithë sfidës pavarsisht rezultatit dhe një transferte kaq të largët.

Kështu Shqipëria shënon humbjen e dytë në këto kualifikuese dhe në tre ndeshje ka vetëm tre pikë dhe tani duhet të pres sfidën ndaj Moldavisë për tu rikthyer tek fitorja në Elbasan./Berati.TV

Kualifikueset Euro 2020

Island 1-0 Shqipëri

Shënues: Gusmundsson 22’

E shtunë, më 8 qershor 2019, ora 15:00
Stadiumi “Laugardalsvollur”, Rejkjavik

ISLANDA: Halldorsson, Hermannsson, Arnason, R. Sigurdsson, Skulason, Gudmundsson(Traustason 56’), Gunnarsson, Bjarnason, Sigurjonsson(A. Sigurdsson 81’), G. Sigurdsson, Kjartansson(Sigborsson 63’). Trajner: E. Hamrin

SHQIPËRIA: Berisha – Ismajli, Dermaku, Veseli – Hysaj, Xhaka(Ndoj 72’), Basha(Kaçe 68’), Abrashi, Lenjani – Balaj, Cikalleshi(Sadiku 80’). Trajner: Edi Reja

Gjyqtarë: Bobby Madden (SCO), Douglas Ross (SCO), David Roome (SCO), Donald Robertson (SCO)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re