Ambasadori slloven, Peter Japelj në një deklaratë nga Korça komentoi samitin e 6 tetorit, mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së, duke theksuar se u dha një mesazh i fortë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ai shprehu mbështetje, por edhe theksoi se e ardhmja e këtyre vendeve është bashkë me vendet e BE-së, dhe herët apo vonë do të jenë pjesë e saj.

“Samiti ishte një sukses edhe pse ishte pak komplekse këtë vit. Deklaratat ishin të koordinuara midis 27 anëtarëve ndaj vështirësia kuptohet. Në fund fare ajo që ka rëndësi është që dolën të gjithë me një deklaratë të përbashkët. Kishte një mesazh të fortë për vendet e Ballkanit Perëndimor, ne jemi në mbështetje dhe shohim që e ardhmja e këtyre vendeve është bashkë me ne, dhe herët apo vonë do të jenë pjesë e BE.

Por kishte dhe mesazhe të tjera të rëndësishme për bashkëpunimin në vijueshmëri në kohët afatshkurta dhe afatgjata. Kishte thirrje të përbashkëta për investime në ekonomi, do të jenë biliona lek për infrastrukturën e Ballkanit Perëndimor që do e bëjnë jetën e njerëzve këtu më të mirë“, tha ai.

Pyetjes se a mund të hapen negociatat me Shqipërinë në muajin dhjetor, Japelj tha:  “Nuk e di. Duhet të shohim. Ne e ndjejmë erën e mundësisë për të nisur me negociatat në mbledhjen e parë ndërqeveritare. Ka disa skenarë se si mund të zhvillohen, dhe më e mira është të nisim negociatat me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ose të paktën të caktojmë një datë për implementimin e projekteve.”

Më tej, ambasadori tha se se Shqipëria ka bërë gjithçka që duhet për të hapur negociatat.

“Shqipëria ka bërë gjithçka që duhet të bënte. Ishin dy zonja të forta nga BE, që erdhën në Shqipëri kohët e fundit , Merkel dhe Vonderlighen, të cilat thanë se Shqipëria ka bërë gjithçka për të qenë pjesë e BE. Tani topi është në fushën e BE për të vendosur. Çështjet kohët e fundit në BE janë të kompleksuara, të gjithë e dimë që ka një problem midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, dhe Shqipëria s’ka të bëjë fare me këtë çështje”, përfundoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re