Pak ditë pasi Komisioni Europian i dorëzoi Këshillit draft-kuadrin për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, komisioneri për zgjerimin Oliver Varhelji sqaron se ky është një vendim i rëndëishmë për të dyja vendet, i cili duhet të pasohet me mbajtjen e konferencave të para ndërqeveritare. Në një intervistë për DW, Varhelji vlerëson se Shqipëria është gati për hapin e radhës drejt integrimit në union.

OLIVER VARHELYI KOMISIONER I BE PER ZGJERIMIN

“Në mënyrë të veçantë, Shqipëria ka bërë tanimë përparim në përmbushjen e kushteve që duhen plotësuar para Konferencës së parë Ndërqeveritare. Arritja e fundit ishte marrëveshja ndër-partiake për reformën zgjedhore, me pjesëmarrjen e të gjitha partive politike, brenda dhe jashtë parlamentit. Kjo tregon përkushtim, dëshmon gjithashtu se Shqipëria po jep rezultate edhe në kohë nga më të vështirat.”

Më tej, komisoneri për zgjerimin shprehet optimist se drafti do të miratohet sa më shpejt të jetë e mundur, dhe se kjo do të varet nga progresi që vendi ynë do të bëjë me reformat.

“Është thelbësore që Shqipëria të mbështetet në arritjet e fundit dhe të vazhdojë përparimin e reformave, në fushat e sundimit të ligjit, gjyqësorit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioni do të vazhdojë të monitorojë dhe mbështesë autoritetet shqiptare në përpjekjet e tyre.”

Çdo kuadër negociues vendos direktiva dhe parime për negociatat e hyrjes në BE për secilin vend kandidat, nëse ai miratohet nga këshilli europian, i hap rrugën mbajtjes së konferencës së parë ndërqeveritare.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re