Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka komentuar rezultatet e arritura nga Samiti i Brukselit, prej ku, edhe kësaj radhe, Shqipëria nuk mori një datë për procesin e negociatave lidhur me integrimin në BE.

Tabaku bën përgjegjëse për këtë fakt, qeverinë shqiptare, ndërsa shton se pikërisht arsyet për të bërë të mundur hapjen e kapitujve të parë, nuk janë plotësuar nga Shqipëria si kushte.

Ajo shton se Shqipëria mbetet e prej kohës në një paradhomë të përjetshme, dhe sipas saj e vetmja që kënaqet me “lugën bosh, është qeveria e cila numëron dështimet si arritje”.

Reagimi i deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku:

Megjithëse takimi i KE prodhoi lajme të mira për Gjeorgjinë, Ukrainën dhe Moldavinë fatkeqësisht dështoi të prodhojë të tilla për rajonin tonë dhe veçanërisht Shqipërinë dhe Kosovën.

Duket se Shqipëria ka ngecur prej kohësh në një paradhomë të përjetshme e cila në fakt është duke i kushtuar shumë shqiptarëve.

A i ka plotësuar Shqipëria kushtet? E ka luftuar krimin e korrupsionin? I ka organizuar zgjedhjet e lira dhe të ndershme; a ka sot një demokraci funksionale dhe parlament agorë diskutimi! JO!

Por, pikërisht këto janë arsye për të ecur përpara e për të hapur kapitujt e parë!

Vendimi i këshillit që nuk arriti të përcaktonte një datë për hapjen e kapitujve për ne dhe në caktimin e konferencës së dytë ndërqeveritare nuk ndihmon askënd. Madje as opozitën që e mbështet këtë proces! Aq më pak qytetarët që presin të përfitojnë realisht nga ky proces por që po largohen masivisht edhe si shenjë dëshpërimi që nuk po ecim ku duhet. Të vetmit që duket se kënaqen me lugën bosh të pritjes dhjetë vjeçare është qeveria që numëron dështimet si arritjet dhe në ndërkohë ka mbetur në pritje me një lojë të pakiptimtë kungulleshkash me u hap apo s’u hap.

Sot Shqipëria nuk është një demokraci funksionale, ka një mungesë të theksuar lirie parlamentare për të diskutuar me gjithëpërfshirje dhe ka një mungesë kritike të debatit politik me përfshirjen e opozitës dhe mundësinë për të ushtruar kontrollin edhe mbikqyrjen. Probleme në thelb kritike që nuk do të shërohen më shpejt nëse ne mbetemi pa një datë hapjesh negociatash. Shqetësime që me shumë mundësi do të kishin një zgjidhje reale nëse do të kishim nisur mbledhjen e dytë ndërqeveritare. Kjo është bindje! Një bindje që qeveria fatkeqësisht nuk e ndan dhe ndaj I mungon vullneti politik për të bërë gjithçka në shërbim të kësaj përpjekje.

Tanimë, detyra e klasës politike që ka mbetur në vendnumëro ndaj integrimit është të rigjejë forcat për t’ia kthyer këtë proces qytetarëve. Kjo mbetet e vetmja rrugë e mundshme që të rikthejmë procesin aty ku duhet dhe si duhet.  Shqiptarët duhet të jenë pronarët dhe përfituesit e këtij procesi! Ekonomia shqiptare duhet të reformohet për të përfituar maksimumin nga tregu i përbashkët dhe mundësitë e planit të rritjes për të mos humbur ashtu si humbëm e nuk përfituam nga procesi Berlinit e çdo formë tjetër financimi apo programi i BE.

Shqiptarët nuk e meritojnë këtë ngecje në kohë! Shqipëria se meriton!

P.S një përshkrim vizual që Inteligjenca Artificiale i jep situatës së Shqipërisë në raport me Integrimin Europian

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re