Me ftesë të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta ka zhvilluar një vizitë dy ditore Kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç.

Ceremonia zyrtare e pritjes me truprojën e nderit është mbajtur në selinë e Presidencës së Shqipërisë, ku Xhaferoviç është pritur nga presidenti Meta.

Pas ceremonisë, ka filluar takimi kokë më kokë mes Metës dhe Xhaferoviçit, me fokus diskutimet për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, nxitjen e bashkëpunimit ekonomiko-tregtar dhe bashkëpunimin rajonal.

Më pas u mbajtën takimet dypalëshe të delegacioneve zyrtare të Shqipërisë dhe BeH-së dhe në përfundim të takimeve u zhvillua një konferencë për media Meta-Xhaferoviç.

Presidenti Meta në këtë konferencë për shtyp deklaroi se gjatë takimit shumë të përzemërt dhe vëllazëror që pati me Kryetarin e Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, u ra dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve të forcohen intensivisht…

“…Gjatë takimit shumë të përzemërt dhe vëllazëror që pata sot me Kryetarin e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Shefik Xhaferović ramë dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve tona të forcohen me një ritëm të ri, në mënyrë që të bashkojmë përpjekjet për t’u dhënë të rinjve tanë një perspektivë më të shpejtë dhe më të prekshme europiane, për të dekurajuar largimin e tyre nga vendet tona…”.

Ndërkaq, Meta tha se: “Të gjitha vendet në rajon, veçanërisht Shqipëria dhe Bosnje-Hercegovina, e duan integrimin evropian, që nuk duhet të jetë thjesht retorikë për të marrë financime nga Komisioni Evropian dhe institucionet e BE-së, por që në radhë të parë kërkon reforma të guximshme, të shpejta dhe të prekshme, që rikthejnë shpresën tek të rinjtë dhe garantojnë të ardhmen e sigurt evropiane të vendeve tona”.

Presidenti shqiptari i bëri thirrje qeverisë ta rihapë përpara 25 prillit, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Bosnje-Hercegovinë, sepse pas 25 Prillit do të hapet patjetër…

Kryesuesi i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç, gjatë vizitës në Shqipëri është takuar edhe me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

Gjatë takimit, kryetari i Kuvendit të Shqipërisë ka theksuar se bashkëpunimi parlamentar është një fushë e rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Sipas njoftimit nga Kuvendi i Shqipërisë, Xhaferoviç, falënderoi Ruçin për vullnetin për zgjerimin e bashkëpunimit midis të dy vendeve.
“Bosnjë dhe Hercegovina ndjek me gëzim progresin e Shqipërisë dhe përshpejtimin e integrimit europian dhe dëshiron që negociatat e pranimit të hapen sa më shpejt. Njohja e Kosovës është në agjendën tonë dhe ne do të përpiqemi derisa të gjejmë konsensusin për këtë çështje”, ka theksuar Xhaferoviç.
Kryeparlamentari Ruçi ka theksuar se Shqipëria mbështet integrimin euro-atlantik të Bosnjë dhe Hercegovinës,”si një pjesë e rëndësishme e mozaikut të arkitekturës së sigurisë në Ballkan e më gjerë dhe është e gatshme të ofrojë përvojën në këtë drejtim”.

Xhaferoviç u takua gjithashtu edhe me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndërkohë kryebashkiaku i dhuroi edhe “Çelësin e qytetit”.

Nga ana tjetër, Kryesuesi i Presidencës së BeH-së, së bashku me presidentin Meta, vizituan edhe fshatin Borakë në Bashkinë e Shijakut, ku jeton një pjesë e komunitetit boshnjak në Shqipëri.

Ata janë pritur nga kryetari i bashkisë së Shijakut, Elton Arbana. Në fshatin Borakë jeton një pjesë e madhe e komunitetit boshnjak, rreth 15% e popullsisë së bashkisë së Shijakut përbëhet pikërisht nga ky komunitet.

Kryebashkiaku Arbana tregoi për mbështetjen që po i japin familjeve të prekura nga tërmeti, ku përveç 30 pallateve të reja, janë mbi 500 shtëpi individuale që po ndërtohen, nga të cilat rreth 20 janë për familjet e komunitetit boshnjak.

“Presidenti u njoh me situatën e krijuar pas tërmeteve dhe me ndihmën që kryeministri Rama dhe qeveria shqiptare kanë dhënë për familjet që humbën shtëpinë”, u shpreh kryebashkiaku Arbana.

Në fund të vizitës Presidenti i Bosnjë-Hercegovinës, Shefik Xhaferoviç është takuar edhe kryeministrin shqiptar, Edi Rama.

-Përgatiti për TRT Shqip, Arben HALLUNI, Shqipëri –

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re