Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, rikonfirmoi se Shqipëria mbështet plotësisht planin e paraqitur nga Presidenti Biden, i cili do të çonte në një armëpushim të qëndrueshëm në Gaza, në lirimin e të gjithë pengjeve, në rritje të ndihmave humanitare për Gazën, si dhe bisedimet diplomatike, si e vetmja mundësi që çon në zgjidhje të situatës.
Deklarata e Begajt u bë gjatë një takimi në Tiranë me homologun e Izraelit, Isaac Herzog, i cili vizitoi për herë të parë vendin tonë.
Gjatë takimit kokë më kokë, krerët e dy shteteve biseduan për zhvillimet në rajonin e Lindjes së Mesme, për të cilat Presidenti i Republikës rikonfirmoi qëndrimin e Shqipërisë: “Shqipëria ka dënuar fuqishëm dhe pa mëdyshje sulmet terroriste të 7 tetorit 2023 nga Hamasi kundër Izraelit. Kjo është e paprecedentë dhe nuk mund të justifikohet me asgjë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar se Shqipëria ka dënuar ashpër rrëmbimin e civilëve, grave, të moshuarve dhe fëmijëve, si dhe ka bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të civilëve të pafajshëm.
“Ne mirëpresim lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve”, – u shpreh Presidenti Begaj në takimin me Presidentin Herzog, duke përsëritur thirrjen që ndihma humanitare të vazhdojë për të gjithë në nevojë dhe ne dëshirojmë fundin e vuajtjeve të popullatës civile.
Për sa i përket zhvillimeve në Ballkan, Presidenti i Republikës u shpreh se për shkak të pozicionimit gjeopolitik, rajoni është i prekshëm ndaj kërcënimeve, duke përfshirë terrorizmin dhe ekstremizmin, migracionin, kërcënimet hibride, sigurinë kibernetike dhe praninë e aktorëve të tretë destabilizues. “Shqipëria, – theksoi Kreu i Shtetit, – i mbetet mirënjohëse Izraelit për kontributin e dhënë për të rritur kapacitetet e saj të mbrojtjes kibernetike në rrethana shumë të vështira dhe kritike pas sulmeve kibernetike të Iranit në vitin 2022.