Presidenti Ilir Meta ka reaguar lidhur me raportin e Eurostat, ku Shqipëria rezulton vendi më i korruptuar në rajon dhe në Europë.
Meta thekson se ky është një rekord i papranueshëm. Presidenti thekson se vetëm lufta e hapur dhe pa kompromis kundër korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë.
“Një tjetër rekord i papranueshëm! Shqipëria rezulton vendi më i korruptuar në rajon dhe në Europë, duke lënë pas, sipas EUROSTAT, vetëm Rusinë. Asnjë surprizë! Mungesa e llogaridhënies në çdo nivel vendor dhe qendror, abuzimet me fondet publike nëpërmjet inceneratorëve, koncensioneve dhe PPP-ve, si dhe një drejtësi nën kontrollin e pushtetit, natyrshëm që do të sillte këto rezultate.
Vetëm lufta e hapur dhe pa kompromis kundër korrupsionit parandalon falimentimin e Shqipërisë dhe rikthen shpresën tek qytetarët, që në masë po detyrohen të braktisin Atdheun. Çlirimi i Shqipërisë nga korrupsioni dhe kapja e shtetit është sot interesi dhe prioriteti ynë kombëtar”, shkruan Meta.