Sot Shqipëria mori Presidencën e Këshillit të Sigurimit në OKB. Përfaqësuesi i Përhershëm i Shqipërisë, ambasadori Ferit Hoxha ka prezantuar programin gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit për muajin qershor.

Ndër prioritetet e Shqipërisë, Hoxha renditi respektimin e të drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avanximin e agjendës së grave si dhe paqen e sigurinë.

“Prioritetet e Shqipërisë për muajin i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura ngushtë me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit” – tha Hoxha.

Pjesë nga fjalimi i Ferit Hoxhës në Këshillin e Sigurisë:

Ambasadori i SHqipërisë në OKB, Ferit Hoxha ka prezantuar sot programin e muajit qershor në Këshillin e Sigurimit

– Të nderuar përfaqësues të shtypit, korrespondentë të OKB.

– Një mirëpritje e ngrohtë në këtë konferencë për Presidencën Shqiptare për muajin Qershor. Faleminderit që erdhët sot. Dua të përshëndes edhe ata përfaqësues të mediave që marrin pjesë virtualisht.

– Është privilegj dhe nder për mua t’ju drejtohem në cilësinë e Presidentit të Këshillit të Sigurimit, i pari për vendin tim, Shqipërinë, dhe të ndaj me ju pikat kryesore të programit të punës së Këshillit për muajin qershor.

– Takimi me ju është një moment i rëndësishëm për çdo presidencë dhe nuk është e çuditshme që pas miratimit formal të Programit të Punës, kjo është ngjarja e parë me rëndësi. Më lejoni t’ju them se, përveç kolegëve në Këshill, ju jeni në fakt ndër ata që takojmë dhe përshëndesim çdo javë në këndin tuaj të privilegjuar mediatik.

-Dëshiroj t’ju bëj një nderim të gjithëve, individualisht dhe kolektivisht, për punën dhe përpjekjet tuaja, për profesionin tuaj, për këtë detyrë fisnike të informimit të opinionit publik për punën e Këshillit të Sigurimit. Ne jemi dhe do të mbetemi të përkushtuar ndaj një Këshilli të Sigurimit efikas dhe transparent gjatë këtij muaji, dhe unë pres me shumë dëshirë për një marrëdhënie të shëndetshme dhe me përfitim reciprok. Dhe faleminderit që nuk shkruani që ndonjëherë ne, shtetet anëtare përfundojmë duke e përsëritur veten, pasi është në mënyrë të pashmangshme pjesë e jetës komplekse të multilateralizmit, dhe veçanërisht, e jetës dinamike të Këshillit të Sigurimit që unë e quaj “vendi ku dritat kurrë nuk fiken”.

– Qershori konsiderohet tradicionalisht një muaj i ngarkuar. Ky vit nuk bën përjashtim. Programi i Punës për muajin qershor është i ngjeshur.

– Sot kemi ngrënë mëngjesin tonë tradicional të Përfaqësuesve të Përhershëm dhe më vjen mirë të raportoj për mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit për programin e punës. Dëshiroj të falënderoj homologët e mi për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

– Prioritetet e Shqipërisë për muajin i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill dhe janë të lidhura ngushtë me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit.

– Më lejoni të hyj në detaje për disa prej tyre.

Së pari, çështja e llogaridhënies

– Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë. Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë.

– Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit.

– Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.

– Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

– Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta:

o për gratë e dhunuara të Kosovës,

o për nënat e pikëlluara të Bosnjës,

o për fëmijët e Ukrainës,

o për viktimat pa emër në Tigray,

o për Azara në Afganistan,

o për Yazidët në Irak,

o për Rohyngias,

o për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan,

o për të arrestuarit në Siri

o për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës;

o për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi.

Duhet të bëjmë më shumë, më mirë dhe më shpejt, për të gjithë ne, për atë që ne mbrojmë, për atë që na bashkon, për të mbështetur ligjin, për të mbrojtur Kartën e OKB-së, për të ruajtur multilateralizmin.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re