
Çështjet e pronave në vendin tonë e rendisin Shqipërinë të dytën pas Portugalisë për problematikën e lartë me titujt e pronësisë dhe proceset e gjata gjyqësore. Sipas të dhënave të Bankës Botërore për vitin 2024, Shqipëria ka një indeks prej 0.80 (ku 0 është vlera më e ulët dhe 1 më e larta) për të drejtën e pronës, një nivel që mbetet dukshëm më i ulët se mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian, e cila qëndron rreth 0.93.
Indeksi vlerëson forcën dhe sigurinë e sistemit të pronësisë që një vend ofron, që nga mbrojtja ligjore e pronarëve dhe investitorëve, deri te funksionimi i tregut të pronave dhe qartësia e regjistrave publikë. Në rastin e Shqipërisë, ky rezultat tregon se e drejta e pronës mbetet një nga pikat më të brishta të sistemit ligjor dhe institucional. Problemet historike me titujt e pronësisë, fragmentimi i regjistrave, proceset e gjata gjyqësore dhe mungesa e transparencës në verifikimin e dokumenteve vazhdojnë të pengojnë krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm për pronën private. Përpjekjet për digjitalizimin e sistemit kadastral dhe unifikimin e të dhënave përmes Agjencisë Shtetërore të Kadastrës kanë sjellë disa përmirësime, por ritmi i reformës mbetet i ngadaltë dhe ende i pamjaftueshëm.
Indeksi i Bankës Botërore përfshin të drejtën për të fituar, poseduar, trashëguar dhe shitur pronë private, përfshirë tokën. Kufizimet mbi të drejtat e pronës mund të vijnë nga shteti, i cili mund t’i kufizojë ligjërisht ose të mos i zbatojë ato; nga ligjet dhe praktikat zakonore; apo nga normat fetare dhe shoqërore./Monitor
