Pas takimit me të dërguarin e posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarraz, ministrja e punëve të jashtme, Olta Xhaçka ka thënë ndër të tjera se “përfshirja e Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në listën e shteteve jomiqësore të Presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Balkanin Perëndimor.”

Olta Xhaçka:Pata sot kënaqësinë të mirëpres të dërguarin e posaçëm të Qeverisë Gjermane për Ballkanin Perëndimor, z. Manuel Sarrazin.

Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga mbështetëset më të vendosura të integrimit të Shqipërisë dhe rajonit tonë në Bashkimin Europian dhe emërimi i një të dërguari të posaçëm, që ju bashkohet të dërguarve të posaçëm të SHBA, BE dhe Anglisë, është një sinjal i mirëpritur vëmendje dhe përkushtimi ndaj rajonit tonë, për të cilin e falënderova z. Sarazin e përmes tij edhe qeverinë gjermane.

Ky vendim që do të kishte qenë i mirëpritur e me një rëndësi të posaçme në çdo kohë, merr një domethënie akoma më të madhe në situatën e sotme, kur kriza e Ukrainës dhe agresioni rus ndaj atij vendi, ka treguar qartë se Evropa duhet medoemos të investojë strategjikisht në rajonin tonë, si një rajon ecuria dhe zhvillimet në të cilin kanë pasoja të drejtpërdrejta dhe afatgjata në sigurinë e vetë BE.

E kemi thënë shumë shpesh, që rajoni ka nevojë për një qasje strategjike nga ana e BE dhe që kosto e izolimit të Ballkanit Perëndimor është ku e ku më e lartë sesa kosto e integrimit. Dhe sot, pas sinjaleve pozitive që na kanë ardhur nga shumë vende e përfaqësues të BE, përfshirë Përfaqësuesin e Lartë Borrell e sot z. Sarrazin, kemi arsye të shpresojmë që e gjithë Europa e ka kuptuar këtë të vërtetë.

Ajo që më bën sot veçanërisht të kënaqur dhe optimiste është kur shoh që Qeveria Gjermane ka caktuar si të dërguarin e saj një person, si z. Sarrazin që është jo vetëm një mbështetës i përkushtuar i integrimit të BP por edhe një njohës shumë i mirë i rajonit. Çka më shtyn të besoj që dialogu mes nesh nga sot e tutje do të jetë më konstruktiv e më i dobishëm.

Ajo për të cilën biem dakord është që sot rajonit i nevojiten veprime konkrete nga ana e BE. Fjalë të mira kemi dëgjuar shumë, por sot është koha për të vepruar e për të shënuar arritje të prekshme. Duke filluar sigurisht nga caktimi i një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare e duke vazhduar domosdoshmërish me artikulimin e një vizioni të qartë e të prekshëm integrimi për çdo vend të rajonit, sidomos në zonat ku sot ka më shumë tensione e potencial për konflikt. Dhe le të mos harrojmë që potenciali për konflikt në rajonin tonë, ende përpara fillimit të luftës në Ukrainë, ka qenë më i lartë se kurrë në ndonjë pikë tjetër në 20 vitet e fundit.

Në këtë kontekst, dhënia e një perspektive të qartë dhe një angazhim i prerë dhe i vendosur për Bosnje Herzegovinën dhe Kosovën, duke filluar me liberalizimin e merituar të vizave për Kosovën, do të ishin hapa të mirëpritura e të dobishme.

E garantova z. Sarrazin që Shqipëria ashtu siç ka bërë tradicionalisht do të vazhdojë të jetë një faktor stabiliteti në rajon. Ashtu siç do të vazhdojnë të jenë një faktor stabiliteti dhe garanci për perspektivën euro-atlantike të rajonit shqiptarët kudo që janë.

Është kjo arsyeja përse Shqipëria sot ka ndërmarrë nisma shumë të guximshme rajonale e përse Shqipëria sot po luan një rol kaq të dorës së parë krahas aleatëve e partnerëve edhe lidhur me çështjen e Ukrainës.

Por sigurisht që kjo nuk është një përpjekje ku mjaftojnë puna e përkushtimi i Shqipërisë. Na duhet përkushtimi dhe angazhimi i prerë e i besueshëm i BE i të gjithë aleatëve, sidomos në një kohë kur kriza në Ukrainë ka krijuar kaq shumë pasiguri e destabilizim. Na duhet mbështetja e BE jo vetëm përmes avancimit të procesit të integrimit por edhe duke na përfshirë, ashtu si në rastin e pandemisë, në paketat mbështetëse për kapërcimin e pasojave të luftës. Sepse kriza e shkaktuar nga agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe kërcënimet ndaj të gjitha shteteve që e kanë mbeshtetur vendosjen e sanksioneve ekonomike ndaj Rusisë, kanë rritur rrezikun e destabilizimit të disa shteteve të rajonit, ashtu siç përfshirja e Shqipërisë, Malit te Zi dhe Maqedonisë se Veriut në listen e shteteve jomiqësore të Presidentit Putin ka nxjerrë qartë në pah objektivat e Rusisë dhe politikën e saj të ndërhyrjes në Balkanin Perendimor.

Unë jam shumë e kënaqur me bisedën që zhvilluam sot dhe me mirëkuptimin që patëm dhe jam shumë optimiste që në vijim do të kemi një bashkëpunim të shkëlqyer për të çuar më tej punën dhe mbështetjen që ka dhënë tradicionalisht qeveria gjermane.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re