Njësoj si shumë vende të tjera të botës, edhe Shqipëria do të trajtojë me plazmë pacientët e infektuar me koronavirus.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi nga banka e gjakut në QSUT që dhuruesit e parë janë shënuar.
Por ajo bëri thirrje që të solidarizohen të gjithë ata që janë shëruar nga koronavirusi, me qëllim që të shpëtojnë jetën e dikujt tjetër.
“I gjithë ekipi i qendrës së gjakut, QSUT, i drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë kanë hartuar protokollet për terapinë me plazëm. Në bashkëpunim me Universitetin e Pavias e kemi nisur dhe po e finalizojmë këtë proces dhe jemi gati për të ndërtuar bankën e plazmës. Janë marrë të gjitha masat për të garantuar cilësi dhe siguri për aplikimin edhe të kësaj terapie për ata pacientë që kanë nevojë në dy spitalet COVID. Sot ne nisim fushatën ‘Bëhu hero për dikë që ka nevojë për ty’ dhe tashmë kemi dhuruesit e parë që e kanë kaluar sëmundjen por është e rëndësishme që të krijojmë zinxhirin e solidaritetit, për të ndërtuar bankën e plazmës për të ndihmuar ata qytetarë që kanë nevojë për këtë trajtim mjekësor në dy spitalet COVID. Një paciente 30 vjeçare e cila e ka kaluar sëmundjen, ka qenë e para që ka dhuruar sot, në çeljen e fushatës ndërgjegjësuese për dhurimin e plazmës për trajtimin e pacientëve me COVID19.”
Dhurues mund të jetë çdo mashkull dhe çdo grua e moshës 18-65 vjeç që kanë kaluar COVID-19. Për gratë, është kusht që të mos kenë kaluar shtatzani.
Ata mund të dhurojnë gjakun e tyre për të nisur trajtimi i pacientëve të tjerë të shtruar në spitale. Kjo bëhet pasi është provuar që të shëruarit kanë zhvilluar antitrupa për të luftuar koronavirusin.
Dhurimi mund të bëhet në çdo bankë gjaku në spitale. Kujtojmë që disa ditë më parë edhe presidenti Ilir Meta bëri thirrje që të nisë terapia me plazmë.
