Deputeti i Partisë Demokratike, Tomor Alizoti, është shprehur se Shqipëria është kthyer në një Meksikë të vogël ku grupet kriminale kontrollojnë gjithçka.

Në studion e emisionit ‘Open’ në News24, Alizoti tha se nëse në Meksikë kandidatët vriten, këtu nuk ndodh një gjë e tillë pasi nuk luftohet droga.

“E dini ju sa para droge qarkullojnë në Shqipëri? Grupet kriminale, grupet narko, kontrollojnë gjithçka, janë në ata që mbajnë këtë Qeveri në pushtet. Keni raportet e BND-së që flasin për mafien shqiptare, për lidhjet që kanë në Roterdam.

Në Meksikë u vranë kandidatët sepse iu shpall luftë karteleve, ndërsa në Shqipëri nuk kemi parë ndonjë luftë ndaj drogës, përkundrazi janë të lidhur me Qeverinë.

Një apartament në Tiranë kushton 3 mijë apo 4 mijë euro m2 dhe ky është një pastrim i madh parash. Rreziku i madh sot është narkokracia, sepse me paratë e drogës bën lobime marramendëse.

Shqipëria sot është një Meksikë e vogël. Opozitarizmi sot është pothuajse i pamundur, pasi nëse protestojnë 5 vetë, dalin 500 vetë që sulmojnë ata që protestojnë.

Jemi në një fazë shumë të vështirë, në një fazë që zhduken 500 mln euro dhe nuk reagohet”, tha Alizoti.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re