Skip to content

“Shqipëria, një regjim hibrid”/ Freedom House: Korrupsioni i përhapur gjërësisht, zgjedhjet me probleme

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Shqipëria ka mbetur në vend numëro për të gjitha kriteret ku bazohet vlerësimi i organizatës “Freedom House”, sa i takon nivelit të demokracisë dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Në raportin më të fundit, vendi ynë përcaktohet sërish në kategorinë e regjimeve hibride dhe demokraci në tranzicion së bashku me 10 shtete të tjera, ku institucionet demokratike janë të brishta dhe ekzistojnë sfida thelbësore për mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile.

 

Në raport thuhet, se në Shqipëri qeverisja në nivel kombëtar është demokratike, por e dominuar nga politika partiake klienteliste. Zgjedhjet janë përgjithësisht konkurruese, por ato shpesh dëmtohen nga blerja e votës, manipulimi me votat dhe mangësi të tjera. Po kështu, raporti vlerëson se shoqëria civile luan një rol disi aktiv në raport me debatin dhe interesat publike, por ajo vuan nga financimi i pamjaftueshëm dhe mospërfshirja e duhur në konsultimin e politikave, siç kërkohet me ligj.

 

Në raport vërehet se gjyqësori vijon të jetë nën një proces të vazhdueshëm verifikimi të pastërtisë së figurës së anëtarëve të tij deri në fund të vitit 2024, e për rrjedhojë funksionon vetëm pjesërisht.

Prej fillimit të procesit të vetingut, janë rritur pritshmëritë, se sistemi i drejtësisë do të jetë më efektiv dhe më i pavarur, por në raport thuhet se ai ende nuk ka dhënë prova konkrete se po vepron lirisht.

 

Sa i takon korrupsionit, në raport thuhet se ai vazhdon të jetë ende i përhapur, duke shkaktuar mosfunksionim në degë të ndryshme të qeverisë. Por raporti vlerëson se agjencitë e reja të zbatimit të ligjit, të krijuara që nga viti 2019 po tregojnë rezultate inkurajuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

Raporti trajton edhe çështjen e rrjedhjes së të dhënave personale të mijëra qytetarëve shqiptarë gjatë vitit 2021. “Freedom House” thotë se mbi këtë çështje nuk u nis asnjë hetim, ose mbi mënyrën se si partitë politike i sigurojnë, apo trajtojnë të dhënat personale të qytetarëve.

 

 

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë