Sot në Lozanë është hedhur shorti për ndarjen e grupeve në kompeticionin më të ri, Liga e Kombeve. Kështu Shqipëria por edhe Kosova e gjithë skuadrat e tjera kanë njohur për herë të parë kundërshtarët e tyre në këtë fazë të parë të Ligës së Kombeve.
Shqipëria e pozicionuar në Divizionin C(të tretë) do të jetë në grupin C1, i vetmi grup me tre skuadra në këtë division. Kundërshtarët tanë do të jenë Izraeli dhe Skoci, një short ky aspak i lehtë për kuqezinjtë.
Ndërsa Kosova, e cila ishte vendosur në Divizionin D(të katërt) me Maltën, Ishujt Faroe dhe Azerbajxhanin një short sërish jo i lehtë.
Ndërkohë të gjitha divizionet kanë dhuruar grupe dhe sfida interesante. Të parat e secilit prej grupeve do të vazhdojnë garën mes tyre për të nxjerrë fituesin sipas divizionit përkatës, të cilat kualifikohen direkt për në Euro 2020.
Menjëherë pas hedhjes së shortit trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi ka bërë edhe komentit e tij për shortin duke e cilësuar të komplikuar.
“Short që e pranoj dhe nuk kam frikë. Izraeli e Skocia janë skuadra pak a shumë të të njëjtit nivel, janë rivalë të fortë, por Shqipëria është po ashtu një skuadër cilësore. Të shohim”.
“Shorti me 3 ekipe? Do doja grup me 4 ekipe, për të luajtur 6 ndeshje. Do të duhet ta nisim menjëherë mirë, unë jam i bindur që mund ta fitojmë grupin dhe do të japim gjithçka. Nuk kemi frikë asnjë rival, do të ecim përpara me kurajo. Është grup i ndërlikuar, sepse nuk ka hapësira gabimi, duke qene edhe vetëm 4 ndeshje në dispozicion, me rivalë të të njëjtit nivel”.
“Vetëm një miqësore, nuk është pak, duke parë që Skocia ka 4 në plan? Në qershor kemi dy miqësore të tjera, ndaj do të kemi kohë të përgatitemi mirë. Nuk kemi ende emra zyrtarë, por besoj se do të ndeshemi me skuadra që do të luajnë në Botëror dhe do të kemi të punojmë”./Berati.TV




