Në një kohë që duhet të luhej java e tretë e kampionatit, për futbollin ende nuk ka një zgjidhje. Liga profesioniste e futbollit së bashku me presidentin e Federatës Armando Duka, në një konferencë për shtyp, rikonfirmuan qëndrimin për bojkot deri në plotësimin e 4 kërkesave.

 

ARAMNDO DUKA PRESIDENT I FSHF-së

”Ne nuk kërkojmë gjëra të mëdha. Bujqësia është jetike, sporti i domosdoshëm. 3 klube janë me borxhe. Nuk janë detyrime fiskale për arsye të aktivitetit, janë të trashëguara, kur janë privatizuar. Qeveria mund t’i falë gjobat dhe kamatëvonesat. E di sa është ndikimi në buxhetin e shtetit, më pak se 1 milionë euro. ”

 

Prioritet për presidentin Duka është ligji i sponsorizimit për të të cilin iu referua edhe rastit të Kosovës.

 

ARMANDO DUKAPRESIDENT I FSHF-SË

” Le të bëjnë ligjin e sponsorizimit, le mos i falin ato, ligji i sponsorizimit është më i rëndësishmi. Çfarë po kërkon sporti në Shqipëri, po kërkon sa Kosova, një shtet i krijuar 90 vjet mbrapa Shqipërisë, mos themi edhe shifra të tjera. Buxheti që jep qeveria shqiptare është 700 mijë euro. Kosova jep 12 milionë euro. Pse 12 herë më të këqij se Kosova jemi . Ose merre dhe kopjo Kosovën, Maqedoninë, Hungarinë dhe bëj një gjë për sportin që të jetë e sigurt. Minimum jetik për sportin.”

 

Presidenti i Ligës Profesioniste, Edvin Libohova, sqaroi se javët e humbura nuk i bëjnë dëm të madh futbollit kur po lufton për një kauzë prej 4 vitesh.

 

EDVIN LIBOHOVA PRESINDETI I LIGËS PROFESIONISTE

”Ndodhi pandemia dhe futbolli u mbyll. Kemi humbur 4 vjet me kërkesat e kuadrit ligjor. Edhe nëse zgjat 4-5 javë nuk është fundi i botës, po luftojmë për një kauzë dhe një qëllim të madh. Nuk mund të parashikoj hapat e mëtejshme. Presidentët e Ligës do të marrin vendimin e duhur, i cili mendoj se do të respektohet.”

 

Liga nuk tërhiqet, por nëse ky bojkot do të vijojë edhe për shumë kohë pritet që “në lojë” të futet UEFA e cila sipas presidentit Duka është vënë në dijeni për çdo vendim.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re