Skip to content

Shqipëria, pa një pilot të madh

Agim Sallaku, një ndër pilotët më profesionist të Forcës Ajrore të Ushtrisë Shqiptare, ka mbyllur sytë përgjithmonë sot. Nënkoloneli që me helikopterin e FA ka marrë pjesë në qindra operacione evakuuimi, kërkim-shpëtimi dhe emergjencash natyrore, ka ndërruar jetë nga një sëmundje e rëndë.

Lajmin e trishtë e konfirmon dhe ministri i Mbrojtjes, Pirro Vëngu, i cili ka ndarë një fotografi të nënkolonel Agimit dhe i shpreh mirënjohjen për angazhimin e tij, si një prej ushtarakëve më të përkushtuar të Forcave të Armatosura.

“Trishtim dhe dhimbje për ikjen e parakohshme nga jeta të nënkolonel Agim Sallakut! Pas një beteje të gjatë me një sëmundje të rëndë, nënkolonel Sallaku u nda nga jeta duke lënë në hidhërim familjen dhe të gjithë ata që e njohën dhe punuan me të në Forcën Ajrore.

Mirënjohje të thellë për kontributin njerëzor e profesional të një prej ushtarakëve më të përkushtuar të Forcave të Armatosura! Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve. U prehsh në paqe, nënkolonel Sallaku”, shkruan ministri Vëngu.

Newsbomb.al shkruan se nënkolonel Agim Sallaku është trajtuar jashtë vendit muaj më parë, por fatkeqësisht kur u duk se e fitoi betejën me sëmundjen e rëndë, ajo e ka sulmuar pabesisht duke e ndarë përgjithmonë nga familja, miqtë dhe kolegët në Forcën Ajrore.

Ai ishte një profesionist i Forcave të Armatosura, një ndër pilotët më të mirë të ushtrisë shqiptare, bashkëshort i dashur, baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm dhe një qytetar model i Republikës.

Newsbomb.al i shpreh ngushëllimet familjes Sallaku për ikjen e parakohshme të njeriut të tyre të zemrës!