Më 1 qershor Shqipëria duhet t’u thotë “JO” qeseve plastike me një përdorim. Fjala është për ato qese të holla nën 70 mikronë dhe me kapacitet mbajtës më pak se 10 kg, ndërsa qeset me trashësi më të madhe se kaq do të vazhdojnë të prodhohen dhe përdoren.

 

Por kur jemi vetëm një ditë larg nisjes së zbatimit të ligjit, tregtarët janë të paqartë sesi do të veprojnë dhe ende nuk kanë bërë zëvendësimin e qeseve.

 

TREGTARË

1-“Ne nuk dimë çfarë të bëjmë tani, blemë qeset sot.”

2-“Kemi dëgjuar që do të ndalohen qeset. Ne e kemi mjet pune këtu për t’iu shërbyer qytetarëve. Por nuk dimë si do të punojmë ne, do të jepen në dorë prodhimet?”

3-“Në dijeni jemi, por s’kemi marrë asnjë masë. Masa t’i marrë qeveria. Nesër nuk e dimë me çfarë do të shesim. Vetëm po morën çantat me vete, por nuk futen të gjitha në një thes. Na thanë do të dalin disa qeska të trasha, s’ke leverdi, qeskën se merr tjetri me lek. Ne ju thamë sot klientëve që nga nesër të pajisen me qeska.”

 

Pas datës 1 qershor, qeset që do të vazhdojnë të përdoren do të kushtojnë, por kjo shihet nga biznesi si një kosto e shtuar.

 

ALBERT NASTO

SHOQATA E BIZNESIT TE VOGEL DHE TE MESEM

 

“Jemi në një kaos se çfarë do të bëhet. Do të jetë një kosto e shtuar për tregtimin e qeseve apo për rritjen e çmimeve sepse nuk e dimë sa do të dalë, sa do të jetë çmimi. Kjo qese ishte 50 lekë të vjetra deri tani, por tani do të ndryshojë varësisht kostove. Do të rritet çmimi. Nuk dimë ku do të marrim furnizimet.”

 

Blerësit nga ana tjetër thonë se kanë marrë masa dhe nga nesër, do të bëjnë pazaret me trasta.

 

BLERËSIT

 

1-“Po po, jemi në dijeni. I kemi trastat gati në shtëpi.”

2-“Kam disa trasta në shtëpi. Unë nuk e di pse i kemi përdorur deri më sot qeset plastike. Është shumë e mirë nisma.”

3-“Ndonjë qese kur të ngelemi edhe do ta blejmë, por pazaret do t’i bëjmë me trasta.”

 

Tri institucione janë ngarkuar të monitorojnë zbatimin e ligjit dhe për shkelësit do të ketë gjoba që variojnë deri në 30 mijë lekë për qytetarët dhe deri në 1.5 milionë lekë për prodhuesit apo importuesit.

 

ELVIS TOSUNI

 

MINISTRIA E MJEDISIT DHE TURIZMIT

 

“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave do të bëjë kontrollin e importi, është Inspektorati i Mbikëqyrjes së Tregut që do të kontrollojë të gjithë përdoruesit e qeseve dhe të këshillojë për produktet që të blejnë me qëllim që blerjet e tyre të mos jenë në subjekte që nuk janë të lejuara. Institucioni i tretë është Agjencia Kombëtare e Mjedisit, që do të ketë në fokus subjektet që prodhojnë në tregun vendas qese plastike për qëllime transporti.”

 

Çdo qese plastike pas 1 qershorit do të ketë edhe elementët dallues të shtypura në trupin e qeses plastike, do të jetë lehtësisht e identifikueshme se kush është subjekti që e prodhon atë.