Rënia e popullsisë nuk po ndalet. Sipas Institutit të Statistikave, rënia për vitin 2018 ishte 0,3%, ndërkohë që shtesa natyrore e popullsisë, që është raporti mes lindjeve dhe vdekjeve ra 17,4 % krahasuar me një vit më parë.

Sociologu i njohur, profesor Zyhdi Dervishi, i cili është marrë gjatë me çështje demografike, thotë se të rinjtë e sotëm kanë vështirësi për krijimin e familjeve. Sipas tij, shkaqet në radhë të parë duhen parë tek problemet ekonomike dhe tek emigracioni i lartë.

Prof. Zyhdi Dervishi

“Ndalimi i hemorragjisë së emigracionit nuk realizohet me masa administrative, me masa kufizuese, por me zhvillim ekonomik. Unë mendoj që duhen marrë masa që të rinjtë të martohen më shpejt dhe që të martohen të rinjtë më shpejt, padyshim ata duhet të jenë të punësuar, duhet të kenë kushte për të banuar, duhet të merren masa që familjet e reja që lindin fëmijë të mund të kenë favore jo të vogla”, deklaron Dervishi.

Profesor Dervishi propozon dhe masa konkrete, duke mbështetur ekonomikisht të gjitha nënat që lindin: “Unë mendoj që nënat tre vitet e para pas lindjes mund të paguhen me pagesë të plotë pa punuar derisa të rrisin fëmijën dhe të suprimohet sistemi i çerdheve dhe fëmija të shkojë direkt në kopsht, nuk është ndonjë humbje e madhe për ekonominë nëse sponsorizojmë një nënë të re që të rrisë fëmijën e saj tre vjet”.

Alarmin për rënien e popullsisë në Shqipëri e ka ngritur edhe Organizata e Kombeve të Bashkuara. Ajo ka parashikuar tre skenarë deri në vitin 2100 dhe në tre rastet vendi ynë rezulton me rënie të popullsisë. Varianti më dramatik flet për 860 mijë banorë, kurse skenari më optimist për 2 milionë e 800 mijë banorë. Varianti normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë në 2100.

Top Channel

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re