Një ditë para prezantimit të programit që do të ndjekë Shqipëria gjatë kryesimit një vjeçar të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, nga Vjena kryeministri Edi Rama tha se si kryetar i OSBE-së do të çojë përpara objektivat e ndjekura deri më tani nga ky organizëm.

“Do të bëjmë të gjithë që kemi planifikuar, nuk e marrim drejtimin e OSBE për të rishpikur OSBE as për të rishpikur mekanizmat, qasjen tradicionale, sepse vërtetë jemi drejtues të organizatës, por është një drejtim që është shumë koordinim me të tjerët dhe vendimmarrje që duhen miratuar patjetër nga të tjerët.”

Për njohjen e Kosovës, si shtet të pavarur, Rama tha se ekziston mundësia për të shenuar progres.

 

“Ne kemi disa ambicie, kemi vendosur disa prioritete, kemi qenë të vëmendshëm të mos vendosim prioritete që janë dëshira por të parealizueshme, dhe mendoj që e kemi kapacitetin e duhur të bëjmë diçka edhe për Kosovën, aq më tepër që në Prishtinën zyrtare jam tradhtar dhe në Beogradin zyrtar jam nacionalisti më i rrezikshëm shqiptar”.

 

Duke e quajtur artificiale krizën politike në Shqipëri, kreu i qeverisë foli për një dakordësi me Partinë Demokratike për reformën zgjedhore.

“Është një krizë artificiale e injektuar në politikën shqiptare nga njëra palë, por është shumë e rëndësishme që sot jemi në një proces dakordësie lidhur me reformën zgjedhore, pikërisht implementimin në tekstin e legjislacionit tonë të rekomandimeve të OSBE. Kështu që nuk mendoj që në këtë familje vendesh (OSBE) përfaqësojmë ndonjë vend me ndonjë krizë të veçantë. Ajo që është fakt është që opozita ka shprehur dhe ju e keni dëgjuar, me të dëgjuar e kam edhe unë se nuk kam takuar njeri, dakordësinë për t’u përfshirë në proces. Kjo është një shenjë shumë e mirë, për rekomandimet e OSBE. Kemi një bosht objektiv që nuk kemi nga luajmë as njëra palë as tjetra. Kjo është një bazë e mirë”.

Më herët, kryeministri pati një vizitë edhe në zyrat në Vjenë ku është vendosur ekipi që do të koordinojë zbatimin e prioriteteve që Shqipëria i ka vendosur vetes si vendi kryesues i OSBE-së.

Si kryetar i OSBE-së, në agjendën e deritanishme të vizitave më të rëndësishme dhe me të shpejta të Edi Ramës janë Ukraina, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re