Presidenti i vendit Ilir Meta ka reaguar në lidhje me raportin e FMN, ku theksohej se Shqipëria ishte shteti me vdekshmërinë më të lartë nga Covid në Europë.

Meta i bën thirrje Komitetit Teknik të Ekspertëve që të rishikojnë të gjitha protokollet dhe masat që janë marrë.

Presidenti shkruan se duhen zbuluar dhe eliminuar pikat e dobëta dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar këtë shkallë të lartë të humbjeve të jetëve.

Meta:

Renditja e Shqipërisë si vendi me vdekshmëri më të lartë në Europë nga COVID-19 sipas FMN, është një fakt alarmant, që duhet të merret shumë seriozisht, për më tepër që vendi ynë është ende me moshë mesatare më të re të popullatës krahasuar me vendet e tjera të BE.

I bëj thirrje, Komitetit Teknik të ekspertëve dhe autoriteteve të analizojnë me përgjegjësi këto të dhëna, si të rishihen me përgjegjësi të gjitha protokollet, masat për parandalimin dhe trajtimin e pandemisë, në mënyrë transparente dhe bashkëpunuese me qytetarët.

Duhen zbuluar dhe eliminuar pikat e dobëta dhe duhet ndërhyrë urgjentisht për të parandaluar këtë shkallë të lartë të humbjeve të jetëve.

Jemi ende në valën e pandemisë dhe ndërhyrjet përmirësuese dhe korrigjuese të masave antiCovid duhet të ndërmerren sa më parë.

Edhe FMN konfirmon që Shqipëria kishte vdekshmërinë më të lartë shtesë në Europë në pandemi, edhe pse me moshë të re

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re