Nga vendi me popullsinë më të re, shqiptarët do të jenë shumë shpejt “pleqtë” e Ballkanit Perëndimor.
Popullsia po tkurret me një ritëm të shpejtë, lindjet po bien dhe
njerëzit po shkojnë drejt plakjes. Të dhënat janë edhe më të trishta kur
bëhet fjalë për parashikimin e moshës mediane të popullsisë shqiptare
në 2100, prej 53.2 vite, më e larta në rajon.
Mosha mediane është një tregues i rëndësishme demografik, pasi tregon
pikën ku popullsia ndahet në mënyrë të barabartë, më të vjetër se ajo
moshë dhe më të rinj. Për më tepër që mosha mediane nuk është vetëm një
tregues se sa e re apo sa e vjetër është popullsia e një vendi, por edhe
një tregues i rritjes së popullsisë.
Kjo do të thotë se popullsia shqiptare po plaket me ritmin më të
shpejtë në rajon, pasi në vendet e rajonit mosha mediane në 2100
përllogaritet të jetë nën 50 vjeç.
Sipas “Monitor” pas Shqipërisë, projeksionet parashikojnë se moshën
më të lartë mediane do ta ketë Mali i Zi me 50.3 vjeç, pasuar nga Bosnjë
dhe Hercegovina me 49.8 vjeç, Serbia dhe Maqedonia me 48.7. Ndërsa
mosha mediane në botë përllogaritet që deri në 2100 të jetë 41.6.
Ndërkohë që 50 vjet më parë, Shqipëria kishte popullsinë mediane më
të re të rajonit me një moshë mediane prej 19.6 vjet, madje më të ulët
edhe se mosha mediane botërore prej 21.5 vjet.