Askush nuk ve në diskutim rëndësinë parimore të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri, të ashtuquajtur “Vetting”. Por në nivelin europian, ashtu si në Shqipëri, jo të gjithë e konsiderojnë këtë proces të suksesshëm.

Prezantimi i “Vettingut“ nga Komisionit Europian si një sukses është sfiduar hapur nga eurodeputetë dhe jo vetëm në debatin e zhvilluar në gjirin e komisionit të buxhetit dhe komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian, gjatë prezantimit të raportit mbi mbështetjen e Bashkimit Europian të procesit të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor të hartuar nga Gjykata Europiane e Auditit

“Ne kemi provuar, se disa nga partnerët në Ballkanin Perëndimor kanë bërë progres të mirë dhe të qëndrueshëm në fushën e sundimit të ligjit. Do të cilësoj dy shembuj. Një është Shqipëria, ku mbështetja e Bashkimit Europian ka dhënë rezultate të thella dhe paprecedentë të reformës në drejtësi, që vazhdon të zbatohet me rezultate konkrete”, ka thënë Maciej Popovski.

Nga ana tjetër eurodeputetja Viola Von Cramon-Taubadel, ka theksuar se është e befasuar që komisioneri Popovski e ka konsideruar sukses reformën në Drejtësi në Shqipëri.

“Jam pozitivisht e befasuar nga zoti Popovski kur dëgjoj që ai e konsideron reformën e drejtësisë në Shqipëri një sukses. Do të isha dakort, por së fundmi, interlokutorët tanë në Kosovë na njoftojnë se Bashkimi Europian i nxit ata për të mos ndjekur të njëjtën rrugë që ndoqi Shqipëria.

Madje u thuhet ta ndalin procesin e Vettingut, gjë që e komplikon çështjen për ta, pasi ata janë tashmë në mesin e procesit dhe menduan se janë në rrugën e duhur për plotësimin e kritereve lidhur me luftën kundër korrupsionit dhe reformën e gjyqësorit. Pra, edhe në nivelin operacional dhe teknik nuk është e efektshme”, ka thënë Cramon.

Nga ana tjetër përfaqësuesi  i Gjykatës Evropiane të Auditit, Juhan Parts, ka theksuar se ky proces reformash duhet të ishte bërë me kohë në Shqipëri.

“Jam dakort me zotin Popovski, që cilëson procesin e Vettingut të gjyqtarëve në Shqipëri dhe të prokurorëve. Por mendo, që Vettingu i gjyqtarëve vjen së paku pas një dhjetëvjeçari reformash. Këto reforma mund të ishin bërë që në fillim fare”.

Bilanci i Gjykatës Europiane të auditit për reformën e sundimit të ligjit në Ballkain Perëndimor është një sirenë alarmi për të gjitha institucionet europiane. Sipas Juhan Parts, Bashkimit Europian ka mbështetur reformat e integrimit prej më shumë se 20 vjetësh në Ballkanin Perëndimor, por rezultatet janë të dobëta. Bëhet fjalë së pari është një çështje tê mungesës së vullnetit politik, por nga ana tjetër, Bashkimi Europian nuk ka gjetur qasjen e duhur se si t’i trajtojë këto realitete në mënyrë të efektshme.

“Situata në rajon është shqetësuese. Në bazë të shumë raporteve, shumë qeveri në rajon janë bërë më autoritare në dhjetëvjeçarin e fundit pavarësisht progresit zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Ka elemente të qarta të kapjes së shtetit, përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionit në shumë nivele të qeverive dhe administratave”, ka thënë Parts.

Përfaqësuesit e Komisioni Europian dhe e servisit të jashtëm të Bashkimit Europian janë angazhuar për të ndjekur rekomandimet e Gjykatës Europiane të Auditit lidhur me forcimin e shtetit ligjor në Ballkanin Perëndimor./Erisa Zykaj

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re