VALENTINA MADANI/ Shqipëria zgjidhet për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Me 123 vota pro në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, Shqipëria do të jetë anëtare për periudhën 2024-2026. Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, e konsideroi një tjetër arritje të diplomacisë shqiptare.

“Një tjetër arritje e madhe e politikës së jashtme dhe diplomacisë; një tjetër demonstrim i besimit nga shtetet anëtare të OKB-së për rolin e Shqipërisë në çështjet ndërkombëtare. Këtë herë plotësisht të përkushtuar për mbrojtjen dhe promovimin e Të Drejtave të Njeriut kudo dhe për të gjithë”, – tha ministri Hasani.

Objektivi kryesor i Shqipërisë, si anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të jetë të punojë brenda Këshillit dhe sistemit të Kombeve të Bashkuara për të garantuar respektimin universal të të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, për të gjithë individët pa diskriminuar askënd. Shqipëria do të bashkëpunojë ngushtë me shtetet e tjera anëtare të OKB-së, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gjithë partnerët për zbatimin e këtyre angazhimeve.

Këshilli, i cili është i ngarkuar me përgjegjësinë për të mbrojtur dhe avancuar të drejtat e njeriut në nivel global, përbëhet nga 47 shtete anëtare të zgjedhura me votim të fshehtë nga shumica e anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme. Ambasada e SHBA-së në Tiranë, në një mesazh në rrjete sociale ka uruar vendin tonë, pasi u zgjodh për herë të dytë anëtare e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKBsë.

“Urime Shqipërisë për zgjedhjen e saj në Këshillin e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut! Shqipëria ka qenë një zë parimor në Këshillin e Sigurimit të OKBsë dhe zgjedhja e saj në Këshillin e të Drejtave të Njeriut është një mundësi tjetër për të dalë në mbrojtje të më të cenuarve në mbarë botën. Ne jemi krenarë që qëndrojmë përkrah Shqipërisë në promovimin e dinjitetit njerëzor dhe drejtësisë në mbarë botën”, shkruhet në mesazhin e ambasadës së SHBA-ve në Tiranë.

OKB-ja që nga themelimi i saj i ka kushtuar një rëndësi të veçantë çështjeve të mbrojtjes dhe avancimit të të drejtave të njeriut të çdo individi kudo në botë. Përpjekjen e parë në këtë drejtim e dëshmon krijimi i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, i cili u themelua me anë të Kartës së Kombeve të Bashkuara për të siguruar mbrojtjen e të drejtave të njeriut në çdo vend të botës.

Por, ky Komision nuk arriti të përmbushte pritshmërinë e vendeve anëtare të OKB-së lidhur me mandatin e tij dhe në fillim të shekullit 21 u bë e qartë se atij i mungonte kredibiliteti dhe aftësia për të vepruar. Në përpjekje për të rifituar reputacionin e OKBsë në fushën e të drejtave të njeriut, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së u miratua rezoluta 60/251 për të zëvendësuar Komisionin me Këshillin e të Drejtave të Njeriut(KDNJ).Këshilli u krijua në mars të vitit 2006 dhe filloi punë në qershor 2006, duke u kthyer kështu në një organ shumë të rëndësishëm në kuadër të Kombeve të Bashkuara për adresimin e çështjeve të të drejtave të njeriut.

KDNJ është një organ ndër-qeveritar i OKB-së, 47 vendet anëtare të të cilit janë përgjegjëse për promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë pavarësisht kombësisë, vendbanimit, gjinisë, ngjyrës, fesë, gjuhës, apo ndonjë statusi tjetër. Në tetor 2009, Shqipëria shpalli zyrtarisht kandidaturën e saj për anëtar në KDNJ për periudhën 2015-2017. Në zgjedhjet që u zhvilluan në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork në 21 tetor 2014, Shqipëria u zgjodh për herë të parë anëtare e KDNJ, me 176 vota.

Gjatë vitit 2015, Shqipëria është zgjedhur edhe anëtare e Byrosë së KDNJ-së si dhe zëvendës-presidente e KDNJ-së, si përfaqësuese e grupit të Evropës Lindore. Anëtarësimi në Këshillin e të Drejtave të Njeriut nënkupton për Shqipërinë njohjen e rrugës së gjatë që vendi ynë ka ndërmarrë në drejtim të realizimit të parimeve të lirisë, të drejtave të njeriut dhe demokracisë, si dhe shërben si një stimul i fortë për të vazhduar me vendosmëri rrugën për ndërtimin e një shoqërie të hapur dhe demokratike. Zgjedhja e Shqipërisë në KDNJ përbën njëherazi vlerësim dhe garanci për angazhimin e saj të përhershëm në çështjet e të drejtave të njeriut në të gjitha frontet. Shqipëria ka shumë për t’i ofruar botës nëpërmjet vlerave që e karakterizojnë si harmonia fetare, përkushtimi për fqinjësi të mirë, toleranca dhe mikpritja, si dhe nëpërmjet përvojës së përftuar gjatë reformimit të gjithanshëm që ka kaluar vendi.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re