Aleanca politike e presidentit Venezuelës Nicolas Maduro fitoi një shumicë në zgjedhjet parlamentare të bojkotuara nga partitë kryesore të opozitës, ndërsa disa organizata ndërkombëtare i quajtën zgjedhjet “të manipuluara”.

Fitorja tani i jep Maduros kontrollin mbi të gjithë qeverinë, pretendon AP.

“Ne kemi fituar përsëri shumicën në Asamblenë Kombëtare me votat e qytetarëve. Pa asnjë dilemë, është një fitore e madhe për demokracinë,” tha Maduro.

Partia e Bashkuar Socialiste e Venezuelës e Maduros dhe partnerët e saj të koalicionit fituan 67 përqind të vendeve në parlament, tha Indira Alfons, kryetare e komisionit zgjedhor, raporton Reuters, duke shtuar se vetëm 31 përqind e 20 milion votuesve të regjistruar morën pjesë në zgjedhje.

Venezuelianët votuan në zgjedhjet parlamentare të së dielës, të cilat u bojkotuan nga opozita, pra ngjashëm si në Shqipëri në 2019-ën.

Më shumë se njëzet milion njerëz kishin të drejtë të zgjidhnin 277 anëtarë të Asamblesë Kombëtare, një rritje prej 110 deputetësh krahasuar me parlamentin në ikje.

Udhëheqësi i opozitës Juan Guaido u kërkoi mbështetësve të qëndronin në shtëpi, duke thënë se  “diktatura nuk dëshiron të mbajë zgjedhje, por shkatërron shpresat e vendit”.

Maduro, i cili fitoi një mandat të dytë në zgjedhjet 2018 dhe është kritikuar gjerësisht si jodemokratik.

Bashkimi Evropian ka refuzuar të dërgojë vëzhgues për të monitoruar votimin.

Nga ana tjetër, Maduro i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të pranojë rezultatet e zgjedhjeve.

“Ne respektojmë të drejtën e njerëzve për vetëvendosje. Ne kërkojmë respekt për sovranitetin e popullit Venezuelës,” shkroi ai në Twitter.

Maduro është zotuar të japë dorëheqjen nëse opozita fitonte zgjedhjet, një deklaratë që kritikët e interpretuan si pasqyrim të besimit të tij në një fitore të fortë.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re