Sali Berisha është shprehur se po burgoset pa të drejtë dhe se po kyçet në shtëpi pasi i ka ngjallur tmerrin kryeministrit, Edi Rama.

Berisha i kërkoi shqiptarëve të zgjohen, duke theksuar se beteja po bëhet për të drejtat e tyre.

“Duke më hequr të drejtën e komunikimit mendojnë se do të shpëtojnë nga kritikat dhe sulmet e merituara”, u shpreh ai.

Sali Berisha: “Prapë sot, gjykata do vendosë për masat kundër Sali Berishës. U shkel Kushtetuta duke u kërkuar heqja e lirisë për Sali Berishën pa kaluar në Kuvend.

Gjithashtu u shkelën ligjet dhe rregullorja e Kuvendit në mënyrën se si u votua heqja e imunitetit të tij. Nuk po përmend as standardin e dyfishtë dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese.

Le t’i lëmë mënjanë këto, por më thoni ju mua, pse duhet kyçur në shtëpi pa asnjë dokument, fakt apo provë Sali Berisha? Vetëm e vetëm pse i ka kallur tmerrin, datën, monstrës së pluralizmit, bastardit të xhelatëve të diktaturës komuniste, Edi Ramës. Pse u dashkan ndaluar komunikimet publike të Sali Berishës?

Do i perifrazoj një fjalë zonjës Rama, e cila pak vite më parë mblodhi gazetarët në Pallatin e Brigadave dhe u lexoi fjalimin e gjilpërave të helmuara. U tha se me artikujt tuaj, i bëni gjilpëra helmi burrit tim dhe mua. Problemi i tij është se denoncimet tona i ka si helm se është mëkatar.

Por natyrisht nuk mund të bëhet fjalë për një grua, për një vajzë të korruptuar në Shqipëri, pa cituar thjeshtrën e tij, e cila pasurohet ditën dhe natën, kur fle dhe kur zbavitet, vetëm e vetëm falë njerkut të artë, falë të cilit fiton çdo tender dhe asgjëson çdo konkurrent. Nuk mund të flitet për një grua të korruptuar, kur nuk përmendet Linda, që kritikat i merr për helmime, në një kohë kur fiton me paratë e donatorëve çdo projekt të bashkëpunimit me qeverinë, që të gjitha këto në kundërshtim me ligjin dhe Kushtetutën.

Ndaj dhe ata mendojnë se duke më hequr të drejtën e komunikimit, do shpëtojnë nga kritikat, do shpëtojnë nga sulmet e merituara. Sot ne duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari se kur gjykatat përdoren si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë. Kur partisë më të madhe i konfiskohet haptas logoja dhe vula, kjo është diktaturë.

Kur logoja e partisë më të madhe opozitare kërkohet t’i jepet një personi që dihet botërisht se është peng i Edi Ramës, kjo është diktaturë. Kur kreu i opozitës pa asnjë akuzë burgoset dhe i ndalohen takimet dhe komunikimet, kjo është diktaturë. Shqiptarë zgjohuni se po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusinë e Putinit, me Bjellorusinë e Lukashenkos, me Venezuelën e Maduros dhue juntën ushtarake të Mianmarit.

Për të gjitha këto, kjo nuk është betejë e Sali Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrën më të padrejtë. Kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve, për dinjitetin e tyre apo nënshtrimin e tyre. A do e fitojmë ne këtë betejë? Absolutisht po.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re