Të shumtë janë shqiptarët, që kanë mbetur të bllokuar në pikat kufitare me shtetin fqinj, Greqinë.

“News 24” raporton se në Kakavijë kalojnë vetëm kamionët e mallrave. Ka persona në anën e Greqisë dhe ata nuk lejohen të kalojnë.

Personat ndodhen të bllokuar mes dy shteteve. Autoritetet thonë se duhet që të aplikojnë në një konsullatë në Greqi dhe më pas të mund të lejohen të kalojnë.

Pra, duhet të vijojnë nëpër disa procedura e më pas, edhe kur të hyjnë në Shqipëri, duhet t’i nënshtrohen vetë-karantinizimit.

Kryesisht këta janë persona që duan të vijnë në Shqipëri nga Greqia. Ka edhe të huaj që duan të kalojnë tranzit nëpër vendin tonë.

Ndërkohë, situata po kaq problematike mbetet edhe në Kapshticë.

Gazetarja Lorena Kodra raporton se edhe në Kapshticë, ka qytetarë të bllokuar. Qeveria nuk ka lejuar kalimin e autobusëve dhe të furgoneve.

Ka njerëz që kanë pritur prej orësh në palën shqiptare, e që nuk i kanë lënë që futen në shtetin tonë. Ka vetëm mjete mallrash që kalojnë në pikën kufitare në Kapshticë.

Janë 187 shtetas shqiptarë që duan të futen në Shqipëri, pasi edhe Greqia është vatër me të infektuar me Covid-19. Edhe në Korçë është identifikuar një tjetër person me koronavirus dhe tashmë janë 15 qytetarë në qytetin jug-lindor që janë zyrtarisht të infektuar

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re