Shqiptarët i janë rikthyer këtë të hënë normalitetit të munguar prej më shumë se dy muajsh: frekuentimit të bareve dhe restoranteve.

Kjo javë shënoi hapjen e këtij sektori, i cili në total numëron rreth 18 mijë biznese. Rinisja e punës u bë duke zbatuar të gjitha protokollet: që nga përgjysmimi i tavolinave në ambientet e jashtme, tek shërbimi me doreza i kamerierëve e deri tek gotat një përdorimshe.

Përfaqësuesit e këtij sektori thonë se rinisja e punës nuk mund të konsiderohet një normalitet pasi frekuentimi mbetet i ulët.

Nisur edhe nga kërkesa e ulët e qytetarëve, bizneset përpiqen të gjejnë format për të nxitur dëshirën e tyre për të frekuentuar më shumë baret, si një nga forma kryesore te argëtimit në vend.

Sa i përket sjelljes konsumatore, ka nga ata qytetarë që janë thuajse indiferent ndaj pandemisë, ndërsa të tjerët kanë gjetur rregullat e duhura në lokale.

Por ky sektor ka qënë tërësisht i paralizuar për një kohë të gjatë, çka do të thotë se shumë biznese kryesisht të vogla nuk kanë mundur t’i përballojnë kostot, ndaj shoqata e bareve dhe restoranteve thotë se pritet të ketë falimentime. 

Por ndryshe nga kryeqyteti, realiteti në rrethe ofron një tjetër panorame: qytetarët kanë frekuentuar masivisht baret e lokalet, sidomos në zonat e qendrës. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re