Skip to content

Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës! Ambasadori kroat: Protesta e drejtë e qytetarëve, qeveria duhet të dëgjojë mesazhin! Gjenerata e re do t’i japë fund tranzicionit

ambasadori

Ambasadori i Kroacisë në Shqipëri, Zlatko Kramariç, ka komentuar nga Pogradeci protestat në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të shprehin lirshëm nevojat dhe shqetësimet e tyre. Sipas tij, protestat duhet të shërbejnë si një mesazh për qeverinë, e cila duhet të jetë e vëmendshme ndaj asaj që kërkojnë qytetarët. Kramariç ndodhet në Pogradec në kuadër të një projekti të zhvilluar nga Ambasada e Kroacisë në bashkëpunim me Këshillin e Studentëve të Shqipërisë. Ai tha se qëllimi i këtij projekti është prezantimi i përvojës së Kroacisë në hapat përpara anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe përgatitja e brezit të ri për këtë proces.

Ambasadori vlerësoi të rinjtë shqiptarë, duke u shprehur se ata janë të arsimuar dhe të gatshëm të marrin përgjegjësi në ekonomi dhe politikë. Sipas tij, pikërisht gjenerata e re mund t’i japë fund tranzicionit shqiptar. “Qëllimi nuk është të bëjmë rolin e pedagogut, por të shpërndajmë eksperiencën tonë në këtë proces”, tha Kramariç, ndërsa shtoi se Shqipëria ka një mbështetje shumë të lartë për integrimin europian.

I pyetur për protestat që po zhvillohen në Shqipëri, ambasadori kroat tha se protesta është një e drejtë themelore e qytetarëve. “Protesta është një e drejtë e qytetarëve. Aty nuk është diskutimi kanë apo nuk kanë të drejtë, por qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin nevojat dhe dëshirat e tyre. Ky është një mesazh për qeverinë. Çdo qeveri duhet të marrë mesazhin që i shkon në aspektin politik”, u shpreh ai.

Kramariç theksoi se protestat tregojnë gjithashtu se sa të ndjeshëm janë qytetarët ndaj çështjeve të ndryshme, përfshirë ekologjinë, qeverisjen dhe funksionimin e institucioneve. Sa i përket reformave që duhet të ndërmarrë Shqipëria, ambasadori tha se ato nuk duhet të shihen thjesht si detyrime që vijnë nga Brukseli, por si procese që duhet t’u shërbejnë qytetarëve. “Reformat nuk duhet të shikohen si tip gjobash, pra nuk duhet të shikohen siç e kërkon Brukseli dhe duhet bërë, sepse mbi të gjitha janë qytetarët që jetojnë në këtë vend”, tha Kramariç.

Ai nënvizoi se në procese të tilla mund të ketë nevojë për kompromise dhe marrëveshje, ndërsa ligjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe jo selektive. “Ligji nuk duhet të bëhet selektiv vetëm për një pjesë të qytetarëve. Është fjala që për dikë lejohet dhe për dikë nuk lejohet”, u shpreh ambasadori, duke shtuar se reformat që ndërmerren në kuadër të procesit të integrimit në BE duhet të jenë në dobi të qytetarëve shqiptarë.

Kramariç foli edhe për procesin gjyqësor ndaj krerëve të UÇK-së në Hagë. Ai kujtoi se ka qenë ambasadori i parë i Kroacisë në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë dhe se në atë kohë Hashim Thaçi ishte kryeministër i Kosovës. “Jam njohur me të. Mund të themi që vendimi i gjykatës duhet të pranohet edhe pse mund të jetë i dhimbshëm. Pra duhet të shohim të dyja anët. Nga njëra anë çështja Thaçi dhe nga ana tjetër çështja e Kosovës”, tha ambasadori. Sipas tij, një dënim i Thaçit nuk do të ishte i mirë për imazhin e shtetit të Kosovës, por pavarësisht vendimit, përgjegjësia për të nuk i takon Kosovës si shtet. “Shpresoj që procesi mos ketë qenë politik, por i drejtë”, përfundoi Kramariç.