Nga: Marlind Laci

Meqënëse jemi në prag zgjedhjesh në dy shtetet shqiptare, si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri çdo shqiptar e ka për detyrë që më shumë se në çdo kohë duhet të reflektojë mbi zgjedhjet, zgjidhjet (në qoftë se ka), të shkuarën dhe të ardhmen, të tashmen dhe situatën politiko-ekonomike ku ndodhemi. Pra, duhet menduar për fatet e kombit për katër vitet në vazhdim. Situata përtej kufirit të Shqipërisë Londineze duket më e qartë, shumë herë më pozitive, më serioze dhe gati-gati me një emocion gare që ne shqiptarët e Shqipërisë e humbëm që me paktin e masakrës së ndryshimit të sistemit zgjedhor Berisha-Rama 2009. Në Kosovë tabloja elektorale ngjason me një garë atletike me pengesa vetëm me një subjekt konkurues.

Ndërsa pjesa tjetër e subjekteve politike edhe pse në dukje shfaqen si konkurentë, duket sikur luajnë rolin e pengesave ku kush më pak e kush më shumë përpiqet t’i ndalojë dinamikën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cila për hir të së vërtetës duket që në hapin e parë se do t’i fitojë bindshëm këto zgjedhje. Gjithsesi  një pikëpyetje e madhe ka për të qenë momenti post-zgjedhor ku do përpiqen të konfigurohen koalicionet, pasi në gjykimin tim VV nuk do mundet të formojë qeveri pa ndihmën e koalicioneve edhe pse kjo udhë e ndjekur në zgjedhjet e 2019 solli një koalicion të pa-natyrshën siç ishte ai midis VV dhe LDK.

Si përfundim ky koalicion u thërrmua dhe madje në rrugë ilegjitime, duke shkelur me dy këmbet demokracinë dhe vullnetin e popullit u formua një qeveri mediokre me në krye një kryeministër mediokër. Në Kosovë lipset një qeveri me shumicë dërrmuese dhe e pa konfiguruar në koalicione për t’i dhënë fund një herë e mirë destabilitetit politik, ku pothuajse çdo vit populli shqiptar i Kosovës i është drejtuar kutive të votimeve. Kjo do të thotë pikë së pari influencë më e ashpër nga Beogradi, kosto ekonomike, kosto politike, qeveri të përkohshme dhe të pamundura për të shpalosur programet dhe idetë e tyre politike. Tabloja elektorale në Shqipëri është totalisht e ndryshme nga tabloja kosovare plot ngjyra e shpresë.

Në qoftë se në Kosovë ka një zemërim deri në urrejtje mbarë popullore ndaj klasës së vjetër politike, ka një alternativë përtej subjekteve të vjetruara dhe të krimbura në korrupsion. Në Shqipëri ka mungesë të theksuar alternative, besimi dhe shprese.Në një farë mënyre duket si një film i ripërsëritur për 30 vite me rradhë ku publiku e ka memorizuar fundin. Në Shqipëri ka indiferentizëm për arsye se është mbytur shpresa, është vrarë besimi karshi partive politike dhe është masakruar demokracia. Beteja që pritet të japë verdiktin pas datës 25 Prill që në fillimet e saj duket se është e vakët, nuk ka emocion, nuk ka njerëz të cilët diskutojnë me patos se cila alternativë do t’i jepte një spunto më pozitive zhvillimit dhe aspiratave kombëtare.

Në ambiente intelektualësh nuk diskutohet se kush do e zhvillojë më tepër vendin por në vend të kësaj diskutohet se kush është e keqja më e vogël. Kjo situatë nuk është hiç më pak se fatkeqësi kombëtare. Në Shqipëri kemi një qeveri të stërmajmur nga korrupsioni dhe mashtrimi, nga arroganca e nga fodullëku, nga imoraliteti e nga hajnia, nga trafikantët dhe nga mafiozët. Ndërsa nga ana tjetër kemi një opozitë të mefshët e të pamundur për ta zgjuar popullin nga gjumi dhe për ta motivuar që t’i drejtohet kutive të votimeve, të pamundur për të ngjizur një mendim politik ndryshe nga e shkuara.

Është e vështirë të parashikojmë se si do përfundojë kjo betejë politike, por jam i mendimit se rotacioni politik është i nevojshëm në këtë fazë në të cilën është katandisur vendi,jo për faktin se qeveria e re do të bëjë mrekullira pasi klishet se opozita pas marrjes së pushtetit do të ringjallë shpresën dhe është zgjidhja për t’i kthyer dinjitetin shqiptarve nuk duhen besuar.

Opozita është alternativa e pashpresë e momentit dhe zgjedhje emergjente e përkohshme kundrejtë një qeverisje katastrofike të së majtës tash e 8 vite ,por kurrsesi nuk mund të cilësohet ringjallëse shprese, kurrsesi nuk mund të cilësohet përmbushëse e aspiratave kombëtare kur ka marrë pjesë krah për krah me të majtën në një proces permanent në masakrimin e shpresës tash e 30 vite.

Fundja, ne shqiptarët tashmë respektojmë një formulë të prodhuar me delikatesë nga populli e cila shprehet në këtë formë : “Shit qen e blej këlysh. Rrit këlysh e bëj qen” . Praktikisht me aktet tona politike që përkthehen në vota duke votuar qoftë Ps, qoftë PD a Lsi si qytetarë kryejmë një riciklim të një rrace politike jo njerëzore. Të tillë, njësoj si në fjalët e kësaj aforizme e perceptoj unë rotacionin politik në vendin tonë.

Nuk e di se cila blasfemi apo mëkat i kryer na ka dënuar me këtë impotencë dhe çthurje politike, por them me bindje të plotë se çdo qytetar shqiptar i përvuajtur dhe i martirizuar nga erërat e tallazet shekullore meriton shumë herë më shumë se një duzinë të paudhësh e dritëshkurtrish

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re