Ekonomia, reformat gjyqësore, projektet kapitale infrastrukturore, mjedisi dhe investimet në shëndetësi do të jenë prioritetet e qeverisë së re në Shkup.

Kryesitë më të larta të LSDM-së dhe BDI-së kanë mbështetur marrëveshjen për formimin e qeverisë së koalicionit dhe kanë konfirmuar kandidatët për kabinetin qeveritar që do ta kryesojë mandatari Zoran Zaev.

Në qeverinë e re në vend të 26 do të ketë 19 ministri, pra shtatë më pak. LSDM do të drejtojë Ministrinë e Punëve të Brendshme, të Mbrojtjes, të Drejtësisë, të Arsimit, të Shëndetësisë. Po ashtu të kësaj partie do të jenë edhe zëvendëskryeministri për çështjet evropiane dhe zëvendëskyeministri për çështje ekonomike.

Mandatari Zoran Zaev ka thënë se prioritete të qeverisë së do të jenë ekonomia, reformat gjyqësore, projektet kapitale infrastrukturore, mjedisi dhe investimet në shëndetësi.

“Shumica parlamentare do ta respektojë frymën e punës së përbashkët, e cila nënkupton konstruktivitet, dialog, respektim të mendimit ndryshe të bazuar në argumente dhe ndërtim të demokracisë konsensuale në vend të paralelizmave, etnocentrizmit dhe mbivotimit. LSDM dhe BDI tashmë i harmonizojnë platformat e tyre zgjedhore në programin e përbashkët qeveritar katërvjeçar”, tha Zaev.

Drejtues të BDI, Ali Ahmeti, Artan Grubi, Arber Ademi, Bujar Osmani

Shqiptarët për herë të parë drejtojnë Ministrinë e Jashtme

Nga radhët e BDI-së, Artan Grubi do të jetë zëvendëskryeministër i parë dhe ministër për Sistemin Politik, Fatmir Besimi ministër i Financave, Bujar Osmani ministër i Punëve të Jashtme, Kreshnik Bekteshi ministër i Ekonomisë, Naser Nuredini ministër i Mjedisit.

“BDI si partnere kryesore në qeverinë e koalicionit do të japë kontributin në shumë projekte në të cilat do të përkushtohet qeveria e re. Fokusimi do të jetë në reformat në gjyqësi, spastrimi i gjyqësorit dhe kontrolli i origjinës së pasurisë të të gjithë funksionarëve.

Gjithsesi fokusimi do të jetë edhe në reformat e domosdoshme për integrimin evropian të vendit”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Duke shtuar “Kjo qeveri do të vazhdojë rrugën drejt integrimit europian e partneritetit euroatlantik.

Gjithashtu do të jetë gardiani i Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes për Fqinjësi të Mirë dhe Marrëveshjes paqësore të Ohrit, por edhe do të zbatojë veting në politikë dhe gjyqësor si dhe do të fokusohet në zhvillimin ekonomik”.

Zoran Zaev

Opozita me kritika të hapura për qeverinë e re

Partitë opozitare shqiptare e kanë vlerësuar koalicionin e ri qeveritar si jo legal dhe legjitim pasi sipas tyre ka manipuluar vullnetin e votuesve.

Kryetari i ASH-së Ziadin Sela ka thënë se rrugë tjetër nuk ka, përveç se rezistencë për të mbrojtur vlerat dhe për të pastruar nga skena politike antivlerat.

“Nëse është e nevojshme ne si koalicion, bashkë me popullin do të organizojmë rezistencë. Rezistencë për ta mbrojtur lirinë. Për ta mbrojtur votën, verdiktin dhe ardhmërinë e gjithë qytetarëve këtu në Maqedoninë e Veriut”, ka thënë Zijadin Sela.

Kryetari i Alternativës Afrim Gashi është i mendimit se kjo qeveri është e dobët dhe s’do mund të plotësojë mandatin katër vjeçar: “Pa legalitet dhe legjitimitet qeveria s’mund të ecë përpara dhe s’mund t’i përfaqësojë qytetarët e vet. Kjo qeveri është e ndërtuar mbi këmbë të qelqta dhe në goditjen e parë qelqi thyhet.”

Kryetari i VMRO-DPMNE Hristijan Mickovski

Kryetari i VMRO-DPMNE Hristijan Mickovski tha se ajo që bashkon koalicionin LSDM-BDI është krimi, korrupsioni dhe gënjeshtrat: “Zaev nuk ka asgjë të re për të ofruar, ne kemi një qeveri me kuadro kalimtare, të cilët do të vazhdojnë me krimin dhe korrupsionin. Që tani opinioni duhet ta dijë se na pret krizë më e madhe ekonomike pasi një miliardë euro për shpëtimin nga kriza me Covid-19 u shpenzuan për korruptim zgjedhor”.

Sipas marrëveshjes së arritur midis partnerëve të koalicionit qeveritar edhe në katër vitet e ardhshme kryetar i Parlamentit do të jetë deputeti i BDI-së Talat Xhaferi. Shumica e re parlamentare numëron 62 deputetë.

/DW

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re